TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Manuali për inspektimin e deteve, sipas praktikave të BE-së, orienton inspektorët e peshkimit drejt performancës efikase të kontrollit dhe menaxhimit më të mirë të peshkimit.
Në takimin për peshkimin që u zhvillua në MBZHR, zv. ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo tha se “përmes projektit Fishing Blue “Mbështetje për Sektorin e Peshkimit në Shqipëri”, që po zbatohet pranë MBZHR prej tre vitesh, janë adresuar rekomandimet e Komisionit Evropian në Progres Raportin për Shqipërinë në sektorin e peshkimit”.
“Mbërritja sipas tij e dy anijeve vitin e ardhshëm të financuara nga Bashkimi Evropian do të kontribuojnë në cilësinë e inspektimeve në det dhe kontrollin e bregdetit shqiptar”, tha Kristo.
Ndërsa përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Andea Vera theksoi se, “manuali i inspektimit në det, do të shërbejë si një mekanizëm për të rritur cilësisht performancën e inspektorëve gjatë kontrolleve në det”.
Manuali është hartuar sipas modelit të Agjencisë Evropiane të Kontrollit të Peshkimit (EFCA) dhe shërben për harmonizimin e aktivitetit të kontrollit dhe inspektimit të peshkimit brenda të njëjtit vend sipas një modeli të harmonizuar me ato të vendeve anëtare të BE-së.

/a.a/























