Ballina Aktualitet

Legjislatura e X e Kuvendit, u miratuan 24 ligje dhe 26 vendime

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla në mbyllje të sesionit të parë të Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë, bëri një ekspoze të disa prej arritjeve u shënuan në këtë legjislaturë.

Në fjalën e mbajtur sot në seancën plenare të Kuvendit, Nikolla tha se “veprimtaria ligjvënëse e Kuvendit gjatë këtij sesioni u orientua nga tre referenca kryesore: Nevojat e zhvillimit të vendit dhe të avancimit të reformave; Objektivat e Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të raporteve të progresit të Komisionit Evropian dhe Objektivat e Planit të Zhvillimit Strategjik të Kuvendit për periudhën 2020-2025”.

Sipas saj, në sesionin e parë të Legjislaturës së Dhjetë miratuam 24 ligje dhe 26 vendime, nga të cilat 9 ligje bazë; 4 akte normative me fuqinë e ligjit dhe 11 ratifikim marrëveshjesh.

Nikolla tha se “ligji më i rëndësishëm është buxhetin për vitin 2022, shoqëruar me një paketë fiskale, duke mbajtur në konsideratë rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare, si Komisioni Evropian, FMN-së, Bankës Botërore”.

Gjithashtu vijoj ajo, miratuam emetimin e eurobondit në shumën 650 milion euro që siguroi mbështetje buxhetore për projekte të mëdha infrastrukturore dhe mbështetjen e shëndetësisë, arsimit, bujqësisë etj; disa akte normative që mbështesin masat për mbrojtjen e shëndetit publik për t’u përballur me sfidat e shkaktuara nga Covid-19 si dhe Ratifikimi i marrëveshjeve që synon financimet nga Bashkimi Evropian për zhvillimin ekonomik e social të zonave ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut; huanë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia;  financimet italiane për vijimin e zbatimit të projekteve për përfundimin e disa veprave infrastrukturore; mbështetjen nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim për sektorin elektro-energjetik; ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me SHBA, me efekte pozitive në qarkullimin civil e pasurive kulturore; marrëveshjet me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e së drejtës penale.

Nikolla tha se, “Kuvendi u përfshi gjerësisht në rolin kyç në procesin e integrimit evropian”. Sipas saj, u adresuan rekomandimet e Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar si dhe çështjet e evidentuara nga Moneyval në ligjin Për parandalimin e pastrimit të parave dhe fi­nancimit të terrorizmit, duke e sjellë  në përputhje me standardet e BE-së.

Nikolla theksoi se, roli legjislativ i Kuvendit është forcuar dukshëm, përmes forcimit të kapaciteteve të Kuvendit për shqyrtimin e përputhshmërisë së projektligjeve me acquis të BE-së, duke garantuar një përafrim më efektiv dhe cilësi më të mirë të legjislacionit të përafruar.

“Një rol të rëndësishëm, vijoi ajo, në këtë proces ka luajtur Komisioni për Integrimin Evropian, i cili gjatë periudhës shtator-dhjetor 2021 ka shqyrtuar dhe miratuar 3 projektligje me përafrim, duke propozuar 8 amendamente, të cilat janë miratuar nga Kuvendi në seancë plenare”, teksa vuri në dukej se, “Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, pas rikonstituimit me anëtarët e rinj deputetë (22 anëtarë), ka vijuar takimet periodike mbi zbatimit të detyrimeve për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian si dhe ato ndërgjegjësuese/informuese mbi procesin e integrimit evropian”.

Në fjalën e saj Nikolla theksoi se, “gjatë këtij sesioni u zhvilluan 3 interpelanca dhe 1 seancë pyetjesh, të kërkuara nga deputetë të opozitës me anëtarë të Këshillit të Ministrave. Interpelancat dhe seanca e pyetjeve, përveç karakterit  informues,  kanë shqyrtuar përgjegjësitë e Qeverisë për çështje me ndjeshmëri të lartë publike si Ballkani i Hapur, vaksinimi ndaj Covid-19, përdorimi i fondit të rindërtimit,  mbrojtja e nxënësve në shkolla etj”.

Gjithashtu vijoi ajo, me propozimin e opozitës parlamentare, gjatë këtij sesioni Kuvendi ka ngritur dy komisione hetimore: Komisioni hetimor për inceneratorët në Tiranë, Elbasan dhe Fier dhe Komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.

“Komisioni për inceneratorët është në fazën e grumbullimit, administrimit të dokumentacionit dhe miratimit të planit të hetimit dhe Komisioni për zgjedhjet është në fazën e grumbullimit dhe administrimit të dokumentacionit dhe ka miratuar planin hetimor”, tha Nikolla.

Gjatë këtij sesioni, theksoi ajo, komisionet parlamentare kanë përballuar nje volum të madh pune, krahasuar me sesionet e mëparshme, pasi, paralel me komisionet e përhershme parlamentare, kanë funksionuar edhe dy komisionet hetimore, të cilat i përmenda më lart; dy komisione të përbashkëta për ndryshimet kushtetuese, si edhe mbledhjet e përbashkëta të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit të Ligjeve.

“Risi e këtij sesioni kanë qenë zhvillimi, me kërkesë të opozitës, i mbledhjeve të komisioneve hybrid, me presenzë fizike dhe online dhe përdorimi i sistemit të ri audio-video në komisionet parlamentare. Kuvendi ka bërë funksionale Platformën online të konsultimit publik të projektligjeve dhe akteve të tjera. Deri tani janë të regjistruara dhe përdorues të platformës 8 organizata, 4 individë dhe 4 lobistë. Janë konsultuar deri tani 12 projektligje”, tha Nikolla.

Nikolla vuri në dukje se, në fokus të punë së Kuvendit ishte a mbledhja vjetore e Mekanizmit të Monitorimit Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura, takim i cili u vlerësua maksimalisht nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së që mori pjesë në këtë takim. Ndërsa gjatë këtij sesioni, bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës ka hyrë në një stad të ri. Kuvendi ynë po mbështet Kuvendin e Kosovës, sidomos në organizatat ndërkombëtare ku Kosova ka akses të kufizuar ose nuk është anëtare.

“Më 11 tetor u mbajt Tryeza e përbashkët e Kryetarëve të Komisioneve të përhershme parlamentare dhe është përgatitur për t’u nënshkruar edhe Memorandumi i Bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve, planifikaur të nënshkruhet ditën e parë të sesionit të ardhshëm, më 17 dhjetor në Tiranë. Në seancën e parë plenare të sesionit të ri është ftuar të përshëndesë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosvës, Glauk Konjufca dhe më 22 tetor, unë mora pjesë në Konferencën e kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Suksesi i kësaj veprimtarie ishte prezantimi i kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Nikolla.

Sipas saj, mbajtja në Tiranë e sesionit të 33-të e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë për Evropën dhe prania e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë është një mundësi për të rritur kontributin për kulturën, sigurinë dhe paqen.

Nikolla tha se “më 1 dhjetor u takova në Bruksel me Presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, prej të cilit mora garancinë se Parlamenti Evropian do të vazhdojë të jetë zëri i Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian dhe se inercitë nacionaliste nuk duhet të pengojnë të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Teksa citoj vlerësimin e Presidentit Sassoli se “BE ka një boshllëk të madh pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor””.

Ajo vuri në dukje se, gjatë muajit nëntor, në bashkëpunim me UNICEF-in, u konstitua Grupi i Deputetëve Miqtë e Fëmijëve, i cili zhvilloi mbledhjen e parë më 19 nëntor. Ndërsa më 17 dhjetor u zhvillua, me mbështetjen edhe të OSBE-së, mbledhja përgatitore koordinuese e grupit Aleanca e Grave Deputete, e cila do të konstituohet në muajin janar.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAsnjë humbje jete dhe 3 raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërKLP cakton 3 anëtarë të rinj të komisioneve të përhershme