Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: Buxheti 2022 garanton përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se buxheti i vitit 2022 dhe ai afatmesëm ’22-’24 garanton përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike.

Në kundërpërgjigje të argumenteve të kthimit nga presidenti Meta të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022”, Ibrahimaj tha se, “buxheti i vitit 2022 dhe ai afatmesëm ’22-’24 garanton përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike nëpërmjet vijimit të reformave strukturore për të garantuar rritje të qëndrueshme ekonomike, të ndjekur nga rritja e punësimit, me qëllimin kryesor të vijimit të rritjes së mirëqenies për çdo familje shqiptare”.

Gjithashtu, shtoi Ibrahimaj, ky buxhet garanton “mbështetjen e investimeve afatgjata që garantojnë stabilitet në të ardhmen afatgjatë e ndërkohë mbështetjen e grupeve më në nevojë. Mbështetjen e dixhitalizimit si e vetmja formë për të rritur eficiencën e administratës, për të ulur kostot e saj, si dhe për t’i shërbyer qytetarëve më shpejt e më mirë”

“Gjatë muajit nëntor, dokumenti të cilin kishim punuar me aq kujdes u konsultua gjerësisht në komisionet parlamentare, ku të gjitha pyetjet dhe shqetësimet e opozitës morën përgjigje. Vetëm më pak se 3 javë me parë në datën 25 nëntor, ky Parlament miratoi buxhetin në respektim të të gjithë afateve ligjore, duke marrë parasysh dhe duke adresuar çdo kërkesë të komisioneve parlamentare. Ndonëse shpeshherë komentet ishin të pasakta, ndonëse shpeshherë disa përfaqësues të opozitës e  vishnin buxhetin me nota politike për qëllime personale, duke u munduar të baltosnin imazhin e reformave të kësaj qeverie me qëllimin e vetëm për të keqinformuar qytetarët”, tha ajo.

Ibrahimaj theksoi se, “buxheti është përkthimi në shifra i objektivave politike, ai hartohet nga qeveria e përzgjedhur dhe e mandatuar nga ju. Ju na keni zgjedhur dhe ne do t’ju shërbejmë me përulësinë më të madhe dhe me qëllimin kryesor për të rritur mirëqenien e çdo shqiptari. Buxheti është drafti më i rëndësishëm i financave publike, që është në funksion të ekonomisë dhe në shërbim të qytetarëve. Përdorimi politik i buxhetit është në dëm të ekonomisë dhe të interesit të përbashkët. Qeveria Shqiptare dhe mazhoranca pavarësisht pengesave së opozitës është e bindur të vijojë në ciklin e saj të reformave dhe t’i buxhetojë ato në mënyrë që të jenë sa më efektive “.

Ibrahimaj theksoi se, “për të dytin vit radhazi, Presidenti i Republikës po e përdor buxhetin për luftën e tij politike, pa argumente ekonomike dhe me akuza politike aspak të bazuara. Presidenti është bërë pengesë për dokumentin që do të mundësojë vijueshmërinë dhe konsolidimin e rritjes ekonomike si dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Është bërë pengesë për zbatimin e politikave sociale, që i japin mbështetje për shtresat e varfra dhe kategoritë që kanë më shumë nevojë, ndaj të cilëve kjo Qeveri është shumë e ndjeshme dhe për këtë e ka reflektuar me rritje të fondeve në buxhetin që Presidenti ka kthyer mbrapsht”.

“Dekreti i Presidentit është bërë pengesë për vijueshmërinë e reformave nga kjo qeveri, e mandatuar për herë të tretë radhazi nga qytetarët. Është bëre pengesë për vullnetin e shqiptarëve dhe të drejtën e tyre legjitime për një të ardhme më të mirë.  Interesat personale dhe politike të presidentit nuk duhet të pengojnë arritjen e këtij objektivi madhor, që është edhe prioriteti absolut i qeverisë që kam nderin të përfaqësoj”, tha Ibrahimaj.

“Në argumentet e Presidentit për të kthyer mbrapsht buxhetin nuk gjen asnjë element juridik të vlefshëm që mund të qëndrojë dhe të justifikojë një veprim të tillë. I trajtuam me seriozitet dhe profesionalizëm në komision të gjitha çështjet e ngritura nga Presidenti duke renditur kundër-argumentet përkatëse,  të cilat po i parashtroj përpara jush dhe qytetarëve, në mënyrë të përmbledhur.  Nëse ndalemi te kuadri makroekonomik dhe fiskal, në argumentimet e Presidencës, merret si reference vitit 2020, ndërsa për diskutim është buxheti 2022”, shtoi Ibrahimaj.

“E si mund te merret për referencë viti i mbrapshtë 2020? Pas tërmetit të 26 Nëntorit dhe me pandeminë, rimëkëmbja e ekonomisë u kthye në sfidën tonë kryesore dhe falë masave që ndërmorëm, Shqipëria arriti të shënonte rritjen më të lartë gjatë tremujorit të dytë të 2021 me 17.9% në raport me tremujorin e një viti më parë.  Edhe në tremujorin e dytë, Prodhimi i Brendshëm Bruto u kthye në nivelet e para-krizës dhe norma zyrtare e papunësisë arriti në 11.6%, shifër e njëjtë me tremujorin e katërt të 2019”, theksoi Ibrahimaj.

Në lidhje me borxhin dhe kostot e tij, Ibrahimaj theksoi se, “për shkak të efekteve të pandemisë, Shqipëria sikundër edhe vendet e tjera të Evropës nuk mund të kishte imunitet. Nëse i referohemi fundit të 2020-ës, borxhi në Eurozonë u luhat nga 83.9% në 2019, në 98% në vitin 2020, duke u rritur me 14.1% ndërsa në Shqipëri u rrit me 9.9%”.

“Ndërkohë s`mund të lëmë pa përmendur goditjen tjetër që Shqipëria ka mbajtur mbi supe, tërmetin e nëntorit 2019.  Qeveria në kohë rekord e rindërtoi jetën dhe këtë dramë sociale të secilit prej fatëkeqëve që mbetën të pastrehë dhe mori angazhim ta përballojë këtë sfidë me kosto buxhetore. “Jo sociale” janë siç thuhet në argumentet e Presidentit, mbase është ai vetë të cilit i takon me ligj të jetë mbi palët, por zgjedh të bllokojë 20 miliard leke për vitin 2022 për Rindërtimin”, tha ministrja Ibrahimaj.

Ibrahimaj nënvizoi se, objektivi kryesor i qeverisë, “ka qenë mirëmenaxhim i borxhit dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura që gjetëm si “dhuratë” nga qeverisja e PD-së”.

“Nga 700 milionë lekë borxhe të trashëguara si detyrime të prapambetura në vitin 2013 dhe një borxh prej 72% të PBB-së në 2013 e ulëm ne e ulëm  66.2% në vitin 2019.  Edhe interesat e borxhit u ulën nga 2.9% në 2013 në 2.1% të PBB-së në 2019. Ndërsa me gjithë rritjen e borxhit në vitin 2021 ato arrijnë nivelin e 2.7%”, u shpreh Ibrahimaj.

Sa i përket kostove të borxhit, Ibrahimaj tha se, “ato varen nga pagesat e principalit dhe kjo shifër nga 4.1% që ishte në 2013 në tremujorin e tretë të  2021 është në 3.17%. Ajo që është e pamohueshme është fakti që maturimi i borxhit është rritur duke siguruar parashikueshmëri më të mirë në pagesa.  Sa  për ilustrim në tremujorin e tretë të 2021 instrumente afatgjatë janë 67,2% ndërsa në 2013 ato ishin 48.9% të totalit”.

‘Për sa i përket produktivitetit të borxhit do  t’i referohem viteve 2016-2019, pasi në dy vitet e para të qeverisjes na u desh të paguanim “malin” me detyrime të prapambetura. Nga viti 2016 në vitin 2019 për çdo 100 lekë të marrë borxh ndikimi në rritjen ekonomike ka qenë 237.5 lekë, ku ky raport për vitet 2011-2013 për çdo 100 leke të marra borxh efekti në ekonomi ishte 80 lekë pa llogaritur këtu detyrimet e prapambetura të cilat nëse do të kontabilizoheshin do ta përkeqësonin më keq situatën’, theksoi ajo.

“Edhe në 2021 kur pasiguritë ishin të larta për shkak të valëve të pandemisë, Shqipëria ka pasur një ndër rendimentet më të larta të përdorimit të borxhit në rajon ku për çdo 100 lekë të investuara ka pasur një impakt prej 140 lekësh në ekonomi.  Rendiment ky më i mirë se vitet 2009-2013 ku Presidenti mbante rolin e zv.Kryeministrit dhe të Ministrisë së Ekonomisë ku për çdo 100 lekë të investuara impakti ishte me 120 lekë”, u shpreh Ibrahimaj.

Për sa i përket varfërisë, Ibrahimaj theksoi se, “sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në tremujorin e dytë të 2021 pagat mesatare janë rritur më shumë se inflacioni, shenjë kjo që edhe të ardhurat e shqiptarit të mesëm po rriten’.

“Nëse bëjmë një analizë në kohë, paga mesatare është rritur ndër vite nga 45.539 lekë në 2013, në 56.435 në tremujorin e tretë 2021 me një rritje prej 23%. Të ardhurat e disponueshme janë rritur nga 10.5 miliard euro në 2013, në 15.2 në 2021 me një rritje prej 45%. Po ashtu nëse i referohemi statistikave të Eurostat shohim se “Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër” për një person në vitin 2019 është vlerësuar me 170.785 lekë në muaj, vlerë e përafërt me 5.5 dollarë në ditë për një muaj”, tha ministrja.

“Bazuar mbi këtë analizë personat që jetojnë nën këtë kufi janë 23% në përmirësim nga 23,4% që ishte në 2017 dhe 23.7% në 2015. Sipas indeksit “Rreziku për të qenë i varfër”, Shqipëria renditet më mirë se vende si Serbia, Mal i Zi apo edhe Rumania.  Të njëjtin trend ka pasur dhe pabarazia, duke iu referuar koeficientit GINI, ku 0 do të thotë barazi e plotë dhe 100 pabarazi maksimale. Ajo është në përmirësim nga 36.8 që ishte në 2017, në 35.4 në 2018, në 34,3 në 2019 dhe pritshmëritë janë për një përmirësim të mëtejshëm në 2021. Këto shifra tregojnë se politikat afatgjata të qeverisë kanë qenë efektive, si në drejtim të uljes së varfërisë, ashtu dhe në drejtim të uljes së pabarazisë. Për sa i përket pagës minimale, pretendimi si më e ulëta në rajon është i pavërtetë. Në vijimësi kjo pagë është rritur dhe për vitin 2022”, tha Ibrahimaj.

“Ne do të donim që treguesi i pagës minimale të rritej akoma më shpejt, por të gjitha analizat e ekspertëve ekonomik bashkohen me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat cilësojnë se paga duhet të ndjekë produktivitetin. Kjo është arsyeja pse buxheti i vitit 2022 vazhdon të mbështesë fuqimisht rritjen e digjitalizimit të vendit në mënyrë që ekonomia t’i përgjigjet zhvillimeve të kohës. Nëse do t’i referohemi të ardhurave dhe shpenzimeve në total, shohim se të ardhurat janë rritur ndër vite nga 24.2% të PPB-së që kanë qenë në 2013, në gati 30% më 2022”, u shpreh Ibrahimaj.

“Ne jemi të bindur se me reformat që po ndërmarrim po ecim në drejtimin e duhur. Kjo bindje konfirmohet nga të gjithë aktorët ndërkombëtar, sot nuk dua ti referohem vetem FMN dhe Bankës Botërore por do t’i  referohem raporteve të tjera si Raportit të Konkurrueshmërisë Globale në raport me 2015 Shqipëria është përmirësuar me 19.3 pikë nga nga 46.1 në 65.4. Për sa i përket Raportit të Konkurrueshmërisë të OECD i kryer për Evropën Juglindore në vitin 2016, 2018 dhe 2021  shihet se nga 16  dimensionet  për cilat ato kryhet analiza Shqipëria është përmirësuar ndër vite në 12.

Sipas raportit Transition Report 2021-22: System upgrade: Delivering the Digital Dividend ( EBRD), i cili vlerëson sa i përgatitur është një vend nga ana e infrastrukturës si fizike ashtu dhe digjitale. Në raport me 2015 Shqipëria është përmirësuar me 19.3 pikë nga nga 46.1 në 65.4. Nga nënvariablat që e përbëjnë këtë index, ka pasur përmirësimin më të lartë janë shërbimet qeveritare nga 44.1 në 83.0 me një përmirësim prej 38.9 pikë’, tha ajo.

Ibrahimaj shtoi se, “qëllimi i buxhetit që u miratua në këtë Kuvend është që të  mbështesë rritjen ekonomike, punësimin, rindërtimin, përballimin e pandemisë së COVID-19, zhvillimin gjithëpërfshirës të Shqipërisë dhe të gjithë shtresave të margjinalizuara”.

“Nëse do t’i kthehemi paketës fiskale të gjithë diskutimet tona për buxhetin në komisione dhe në konsultime publike fokusi kryesor ka qenë të sektori bujqësor. Kemi argumentuar me detaje paketën fiskale dhe jemi akuzuar për goditje të sektorit bujqësor. Ndonëse në bashkëpunim me fermerët të gjithë kemi rënë dakord që incentivat aktuale nuk kishin shkuar tek ata. Në të gjithë logjikën e paketës fiskale por dhe të MTRS të hartuar nga FMN thuhet se lehtësirat fiskale deformojnë sistemin, dhe rrisin abuzimin e informalitetin. Dhe përsëri Presidenti ka vendosur ta kthejë mbrapsht ligjin”.

“Jo më larg se ditën e premte isha në takim me përfaqësues të fermerëve dhe të sektorit bujqësor me qëllim që paratë e kursyera nga heqja e lehtësirave fiskale të shpërndahen drejtpërdrejtë te bujqësia. Fermerët kanë nevojë për ulje të kostos së prodhimit dhe rritje të fitimit pra të marzhit ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të prodhimit. Dhe është pikërisht kryefjala e skemës së subvencionimit që Ministria e Bujqësisë do të hartojë. Skema do të synojë rritjen e produktivitetit të fermës dhe që fondet të shkojnë tek fermeri”, u shpreh Ibrahimaj.

Sa i përket kthimit nga Presidenti të ndryshimeve në ligjin e taksave nacionale, Ibrahimaj tha se, “furnizimi i mjeteve detare nuk është furnizim malli brenda territorit të vendit, prandaj nuk aplikohen të gjitha ngarkesat fiskale si në rastin brenda vendit. Psh nuk aplikohet TVSH, Akciza etj. Ky ishte shkaku që ngarkesa fiskale u dizenjua si një “takse nacionale” me qëllim që të mos shkeleshin parimet e taksimit.  U gjykua që tarifa të ishte 40 lekë/litër me qëllimin që shteti të arkëtojë një detyrim fiskal nga furnizimi i jahteve dhe u gjykua që të mos aplikohej tarifë shumë e lartë e cila do ti bënte të pa interesuar  për të hyrë në portet e vendit tonë çka do të ndikonte në dëmtimin e turizmit, hotelerisë, restoranteve etj. Kjo pasi disa nga vendet e rajonit ofrojnë çmime konkurruese për furnizimin e tyre”.

Nga ana tjetër, shtoi ministrja, “taksa për qumështin pluhur synon të rrisë sigurinë në vend, sigurinë ushqimore. Prodhuesit vendas të nënprodukteve të qumështit, të cilët do e importojnë qumështin pluhur pa taksë, do të kontrollohen për sasinë e importuar, për sasinë e nënprodukteve të hedhura ne treg,  vendosjen në ambalazh të përqindjes se qumështit pluhur në produktin e gatshëm si dhe për  raportin e qumështit pluhur të importuar me sasinë e nënprodukteve të hedhura në treg. Ndërsa përmes politikave fiskale që në ditën e parë jemi mbështetur në parimin e progresivitetit”.

“Edhe këtë vit në vijim të politikës sonë për uljen e barrës fiskale të punëmarrësve me paga të ulta, në paketën fiskale 2022 kemi rishikuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili do ketë ndikim pozitiv në të ardhurat e qytetarëve. Në të njëjtën linjë, mbështetet e gjithë shtresa e mesme duke rishikuar fashën e sipërme të taksimit progresiv. Tatimi 23% parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht. Numri i përfituesve nga ky ndryshim është rreth 5.900 tatimpagues dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23.000 lekë për tatimpagues/vit, në vlerën totale prej 135 milionë lekë në vit”, tha Ibrahimaj.

“Nëpërmjet këtyre ndryshimeve lehtësojmë barrën fiskale për shtresat e popullsisë me të ardhura në nivel të ulët dhe të mesëm, por duke qëndruar fort parimit të progresivitetit, ku ai që fiton më shumë, paguan më shumë”, u shpreh ajo.

Për sa i përket transparencës buxhetore lidhur me detyrimet kontigjente, kryesisht nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe vendimet e Arbitrazhit Ndërkombëtar, Ibrahimaj sqaroi se, “vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkon në mënyrë periodike nga Ministritë e Linjës (ML) dhe Avokatura e Shtetit informacion mbi detyrimet dhe pagesat. Ndërkohë MFE po bashkëpunon me Avokaturën e Shtetit për forcimin e një raportimi të konsoliduar të regjistrit të plotë për të gjitha vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit’.

“Për qëllime analize, transparence dhe raportimi të risqeve buxhetore, ky informacion është pjesë e dokumenteve të rëndësishëm që përgatit MFE , të tilla si Raporti i Buxhetit Faktik dhe Raporti i Mesvitit Korent, të cilët janë subjekt i raportimit periodik dhe shqyrtimit nga partnerët ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe ky Kuvend”, tha ajo.

Në mbyllje Ibrahimaj ftoi deputetët të rikonfirmojnë ligjin e buxhetit të vitit 2022 të miratuar në datën 25 Nëntor, pasi tha ajo, “është buxheti që mbështet vijimin e rimëkëmbjes ekonomike, konsolidimin fiskal në periudhën afatmesme dhe atë afatgjatë”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTURQI – Kriza e pandalshme e lirës, ​​monedha vendase vazhdon të humbasë vlerën
Artikulli tjetërBasha: Inceneratorët afera e shekullit