Ballina Ekonomi

Krijohet Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të krijohet dhe funksionojë Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës, që ka për qëllim të përcaktojë vendosjen e rregullave për kultivimin e vreshtave që përdoren për prodhimin e verës, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin dhe kontrollet e produkteve të verës në vendin tonë, me kërkesat e standardet e tregut ndërkombëtar.

Projektligji i ri që ka kaluar për diskutim në komisionet e Kuvendit, parashikon krijimin e këtij komisioni dhe ka si qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, duke ruajtur një konkurrencë të drejtë ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të tjerë në sektorin e verës.

Këshilli Kombëtar i Vitivinikulturës miratohet dhe drejtohet nga ministri dhe ka në përbërje 11 anëtarë.

Po ashtu parashikohet të krijohet edhe Komisioni i Verës që do të ketë në përbërje  7 anëtarë që kanë eksperiencë në këtë fushë të paktën 15-vjet .

Shqipëria, si vend mesdhetar, i ka të gjitha kushtet klimatiko-tokësore për kultivimin e vreshtave.

Vitet e fundit prodhimi i rrushit në Shqipëri është rritur ndjeshëm, nga 79 000 ton në vitin 2019, në 205 000 tonë në vitin 2020. Shtimi i sipërfaqeve dhe e prodhimit të vreshtave janë të lidhura ngushtë me aplikimin e skemave të subvencionimit.

Varietetet autoktone dhe ato të huaja që kultivohen gjerësisht në Shqipëri janë Kallmet, Sheshi i zi, Sheshi i Bardhë, Vlosh, etj. Kurse varietetet kryesore  të importuara janë  Merlot, Cabernet Sauvignon, Chardonnay, Riesling, Petit Verdon.

Synimi i politikave në lidhje me vreshtarinë dhe verën është zëvendësimi i importeve dhe kapja e tregut të turizmit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjermania heq Shqipërinë nga harta e kuqe e COVID-19
Artikulli tjetërHedhje me parashutë nga mali i Moravës