Ballina Aktualitet

Votohet në referendumin e iniciuar nga Berisha për shkarkimin e Bashës

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Ndërkohë që Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar të thirrur nga kryetari Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha po organizon referendumin në të gjitha qytetet e vendit për shkarkimin e kreut aktual dhe rithemelimin e PD-së.

Aktualisht ka nisur votimi për vendimet që u morën në Kuvendin e 11 dhjetorit, të iniciuar nga Berisha.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njoftoi që materialet zgjedhore janë shpërndarë dhe administruar nga të gjithë komisionet përkatëse në të 106 qendrat e votimit në të gjithë vendin.

Deri në këto momente, sipas informacioneve zyrtare nga Komisionet përgjegjëse, janë hapur në orën 08:00 të 106 QV.

Sipas Komisionit, “ka filluar procesi i votimit qetë dhe normalisht”.

Berisha: Basha nuk ka mbështetës

Pasi votoi në qendrën e votimit të hapur pranë ambasadës amerikane, Berisha u shpreh në një prononcim për mediet se “Basha nuk ka mbështetës”.

I pyetur nëse po sfidonte SHBA-të, për faktin që ka hapur qendrën e votimit pranë ambasadës, Berisha u shpreh se “për asnjë vend të lirë të botës, aq më tepër për SHBA, vendin e madh të lirisë, vota e lirë nuk mund të jetë asgjë tjetër, veçse e mirëpritur dhe respekt”.

Berisha e cilësoi Kuvendin e thirrur sot nga Lulzim Basha si një “anti-Kuvend apo një takim të shoqatës Brava-Bardhi”.

“Sot është një ditë historike për lirinë në PD, për pluralizmin politik shqiptar dhe mbarë shoqërinë shqiptare. Për herë të parë në histori është anëtarësia ajo që vendos sot për shkarkimin e Lulzim Bravës nga ajo detyrë që, siç dëshmoi, nuk e ka merituar ndonjëherë. Është një hap, një kapitull i ri në rrugën e rithemelimit të PD-së”, tha Berisha.

Berisha tha se “ditën e hënë, ora 16:00, të gjithë demokratët do të jenë në protestën e madhe në mbrojtje të interesit kombëtar, por edhe kundër vjedhjes së tmerrshme të 420 milionë eurove”.

/m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjirokastra magjike e festave të Fundvitit
Artikulli tjetërKOMENT – Humbja e konservatorëve në zgjedhjet e pjesshme lëkund politikën britanike