TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi nënshkroi me Vodafone Albania një marrëveshje bashkëpunimi për programin e gjeneratës së re STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë), i cili zhvillon më tej aftësimin digjital.
Ky program synon të rrisë aftësitë e komunikimit tek nxënësit, kreativitetin, besimin dhe këmbënguljen dhe zgjidhjen praktike të problemeve të ndryshme që mund të hasin nxënësit në jetën e përditshme. Marrëveshja e financimit u nënshkrua nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe drejtoresha e përgjithshme e Vodafone Albania, Katia Stathaki.
Gjatë fjalës së saj Kushi u shpreh se Vodafone Albania u gjend pranë shqiptarëve në periudhën e vështirë të pandemisë dhe tregoi një nivel të lartë solidariteti dhe përgjegjësie sociale duke dhuruar 15 mijë tableta digjitale për nxënësit që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike.
“Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Vodafone Albania për këtë partneritet kaq të rëndësishëm për ne. E kam thënë dhe dua ta përsëris: Kontributi në Arsim është kontributi më i vyer që mund të jepet në çdo shoqëri”, thekson Kushi.
Kushi ka shtuar se projekti i ri përputhet me nevojat e arsimit dhe objektivat e Strategjisë Kombëtare të Arsimit, por gjithashtu edhe me tendencat dhe me zhvillimet e kohës.
Programi “Generation Next Albania” do të jetë një program trajnues për nxënësit dhe mësuesit është një program unik i cili i fuqizon nxënësit dhe mësuesit. Ai i dedikohet nxënësve nga mosha 12 deri në 16 vjeç dhe do të shtrihet në të gjitha zonat e vendit dhe në një kohëzgjatje prej tre vitesh.
/k.s/j.p/r.e/






















