Ballina Ekonomi

Ulet papunësia në tremujorin e tretë 2021

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Papunësia ka shënuar rënie në tremujorin e tretë të vitit, duke reflektuar përmirësimin e aktivitetit ekonomik në vend.

INSTAT publikoi statistikat zyrtare të forcave të punës, sipas të cilit, “shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,3 % në tremujorin e tretë 2021. Papunësisë u ul me 0,3 pikë përqindje, si në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2020, ashtu dhe me tremujorin e dytë të vitit 2021”.

Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,9 % dhe për gratë 11,7 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0,5 pikë përqindje për burrat, dhe është ulur me 0,1 pikë përqindje për gratë.

Papunësia ka rënë dhe tek të rinjtë. INSTAT njoftoi se shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 19,9 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e tretë 2021, është ulur me 0,8 pikë përqindje.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2021, ky tregues nuk ka ndryshuar.

Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 8,7 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm është ulur me 0,8 pikë përqindje.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-SHBA, bilanci tregtar u rrit në 30 milionë USD
Artikulli tjetërRama: 50 mijë dollarë për rijetësimin e shtëpive në qendrat historike të qyteteve