TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Policia Rrugore e Fierit ka vënë në pranga 3 drejtues mjetesh që drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe ka proceduar penalisht 7 shtetas pasi drejtonin motomjetet pa lejedrejtimi.
Shërbimet e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, gjatë kontrolleve në fundjavë, në të gjitha akset rrugore, jo vetëm për menaxhimin e trafikut, por dhe për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, kanë konstatuar disa drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë, me alkoolin dhe drejtimin e automjeteve pa leje drejtimi.
Si rezultat i kontrolleve, gjatë fundjavës, janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Policia njofton gjithashtu se, janë tërhequr 3 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu, janë vendosur 84 masa administrative për parakalime të gabuara dhe 90 masa administrative për mos vendosje të rripit të sigurimit.
Policia thekson se janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë qarkun, 556 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e automjeteve, motomjeteve që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
/j.p/r.e/












