Meta: Të garantojmë të ardhmen evropiane të vendit

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta u shpreh se, “tani është koha për një thirrje tjetër ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’ dhe ta kthejmë në shinat e vërteta të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Me rastin e Ditës së Rinisë, Meta bëri sot homazhe pranë shtatores së Azem Hajdarit, në sheshin “Demokracia”, në Qytetin Studenti.

“Ishte një detyrim për të qenë sot këtu në këtë shtet të Qytetit Studenti, shesh të demokracisë, ku thirrjet ‘liri-demokraci’ ushtuan për herë të parë në Shqipëri, së bashku me moton: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Jam këtu për të nderuar lëvizjen studentore, në mënyrë të veçantë udhëheqësin e paharruar, heroin e demokracisë, Azem Hajdarin, i cili pati rol kyç, vullkanizues në ato momente kritike të historisë së Shqipërisë, por dhe gjithë studentët e tjerë. Ata që dhanë jetën për lirinë dhe demokracinë, si Arben Brozi dhe të gjithë ata që nuk i kanë tradhtuar idealet e Dhjetorit, të lirisë, demokracisë, pluralizmit politik”, shtoi ai.

Meta tha se “duhet të garantojmë të ardhmen evropiane të vendit tonë, larg çdo pikëpyetjet dhe arsyetimeve boshe”.

I pyetur mbi zhvillimet në PD, Meta tha se “nuk jam këtu për t’u marrë me çështje të tilla, por e rëndësishme është që liria, demokracia, pluralizmi politik të kthehen në shinat e duhura, së bashku me të ardhmen europiane”.

“Vota e lirë, gjthëpërfshirja mbeten vendimtare në këtë proces. Në fund fare, liri demokraci. Jo më vonë, por tani”, theksoi ai.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit, Meta ritheksoi qëndrimin zyrtar të Presidencës, të shpallur dje.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.