TIRANË 6 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Bashkia e Gjirokastrës ndërhyn për sistemimin e kolektorëve të kullimit dhe përrenjve malorë.
Bashkia Gjirokastër po kryen ndërhyrje rehabilituese në kolektorët e kullimit dhe sistemimin e shtretërve të përrenjve malorë, në zonat problematike për shkak të përmbytjeve të dimrit.
Sipas bashkisë, strukturat përkatëse në bashkëpunim me Bordin e Kullimit punojnë për pastrimin edhe sistemimin e kolektorit të Aznakut, që përshkon sipërfaqet bujqësore në njësinë administrative Lunxhëri.
Mjetet e rënda do të pastrojnë një gjatësi prej 7.6 km linearë të këtij kolektori, duke evituar përmbytjet e dimrit dhe dëmet për fermerët në këtë zonë, e cila ka prioritet zhvillimin e agropërpunimit.
Gjithashtu ditët e fundit nga ana e strukturave të bashkisë është punuar dhe për sistemimin e përroit të Sopotit në njësinë administrative Lazarat.
/a.a/r.e/






















