Denoncimet e krimit mjedisor, shpejt pjesë e Komisariatit Digjital

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi se në Komisariatin Digjital, shumë shpejt do të jetë aktive korniza për denoncimin e krimit mjedisor.

E ftuar në një intervistë televizive, Kumbaro u shpreh se, “në mentalitetin tonë, në kulturën tonë, po të doni edhe institucionale, por sidomos sociale, mbetjet i konsiderojmë si një gjë që i lëmë aty mbrapa divanit, mbrapa oborrit, mbrapa shtëpisë. Në fakt nuk kemi bërë gjë tjetër vetëm se ia kemi lënë vetes tonë përpara syve. Ashtu sikurse pastaj ankohemi dhe çfarë bëjmë? Denoncojmë në Facebook. Sa nga ne e kanë ndaluar tjetrin kur hedh shishen nga makina? Sa nga ne kanë shkuar dhe i kanë bërë namin komshiut, kur e shikon që e hedh?”, u shpreh ajo.

“Doni ta mbrojmë mjedisin? Epo nuk mjaftojnë statuset apo komentet në Facebook. Duhen denoncime konkrete. Prandaj në Komisariatin Digjital shumë shpejt do të jetë aktive korniza për denoncimin e Krimit Mjedisor që me Policinë e Shtetit t’i përgjigjemi flakë për flakë keqbërësve dhe të papërgjegjshmëve”, theksoi Kumbaro.

Gjithashtu, shtoi Kumbaro, “me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë për Rininë dhe Fëmijët po përgatisim planin e madh të riciklimit ku së pari do të bëjmë pjesë shkollat dhe universitetet”.

“Letra e përdorur s’ka pse të hidhet në kosh me mbetjet e tjera. E vetmja mënyrë që kemi për të ulur volumin e mbetjeve është riciklimi dhe do ta përdorim sa më shpejt përmes një plani të detajuar”, theksoi Kumbaro.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.