SHBA – Biden vendos përdorimin e rezervave të naftës për uljen e çmimit

UASHINGTON, 23 nëntor /ATSH/ – Presidenti amerikan, Joe Biden do të njoftojë sot përdorimin e rezervave emergjente të naftës për të luftuar çmimet e larta të energjisë, sipas CNN.

”Departamenti i Energjisë do të përdorë 50 milionë fuçi naftë nga Rezerva Strategjike e Naftës”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Njoftimi i mësipërm do të jetë në koordinim me disa vende të tjera, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Republikën e Koresë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Lëvizja vjen pasi Shtëpia e Bardhë po përballet me presion në rritje për të ulur çmimet në rritje, të cilat po kontribuojnë në rritjen më të madhe të inflacionit në dekada, duke shkaktuar zhgënjim dhe zemërim te amerikanët.

”Presidenti do të flasë sot për ekonominë dhe uljen e çmimeve për popullin amerikan”, sipas Shtëpisë së Bardhë, vetëm disa orë para se të niset për pushimet e Ditës së Falënderimeve.

Pavarësisht se u tha se ndikimi mund të jetë i papërfillshëm, opsioni për përdorimin e rezervave të naftës është mbi tryezë, duke qenë se Biden kishte pak mundësi të tjera dhe zyrtarët besonin se koordinimi me vendet e tjera duhej të kishte më shumë efekt.

Javën e kaluar, presidenti i kërkoi Komisionit Federal të Tregtisë që të hetonte nëse aktiviteti i paligjshëm nga kompanitë e naftës dhe gazit ishte arsyeja e vërtetë e rritjes së çmimeve të gazit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.