Muçi dhe Uzuni, golat e radhës kuqezi në Evropë

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Sulmuesit e Kombëtares shqiptare kanë dhuruar performanca shumë pozitive këtë fundjavë, ku nuk kanë munguar edhe golat.

Pas trigolëshit të Giacomo Vrionit në Bundesligën austriake, kanë ardhur edhe rrjetat e Ernest Muçit te “Legia” e Varshavës dhe Myrto Uzunit në Hungari me “Ferencvaroshin”, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalojnë me klubet respektive.

Sulmuesi 20-vjeҫar i transferuar në Poloni nga Tirana arriti të shënojë golin e dytë për skuadrën e tij në humbjen që “Legia” e Varshavës pësoi në transfertë ndaj Gornik.

Goli i Muçit ishte ai i barazimit të përkohshëm 2-2 për skuadrën e tij që doli e mposhtur me rezultatin 3-2 nga kjo transfertë. Ernest Muçi, i cili pak ditë më parë bëri edhe debutimin me fanellën kuqezi ndaj Andorrës, me këtë gol arrin në kuotën e 4 golave në 13 ndeshje në ligën polake.

Fundjavë e suksesshme ka qenë edhe për Myrto Uzunin, me beratasin që shënoi golin e tretë në fitoren 3-0 që skuadra e tij, “Ferencvarosh”, arriti ndaj Mol Fehervar në kampionatin hungarez. Skuadra e tij kryeson kampionatin pas 12 ndeshjeve të zhvilluara, me Uzunin që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm me 6 golat e tij në 12 aktivizime.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.