Dita Botërore e Përkujtimit, 17 viktima më pak nga aksidentet krahasuar me 2019

 

TIRANË, 21 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Në vitin 2021 shënohet një rënie me 9% e aksidenteve me vdekje, ose 17 viktima më pak krahasuar me vitin 2019.

Statistikat i bënë publike sot në Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor, drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato dhe drejtori i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja.

Në një prononcim për median, Qato apeloi të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Qato ftoi qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

“Policia ka shtuar flotën e mjeteve inteligjente për të evidentuar çdo shkelje rrugore. Këto mjete kanë një perceptim të saktë të çdo shkeljeje, por qëllimi ynë është të rrisim sigurinë rrugore dhe jo të rrisim masat administrative. Shpëtimi i jetëve është qëllimi i vetëm”, tha ai.

Krahasuar me vitin 2019, Qato tha se “kemi një ulje prej 17 viktimash dhe po ashtu edhe krahasuar me vitet e mëparshme”.

Ndërkohë, ai tha se “janë shtuar përdoruesit e mjeteve rrugore, ndërsa aksidentet shënojnë ulje”.

Shkaqet e aksidenteve, sipas Qatos janë “përdorimi i alkoolit, parakalimi i gabuar, përdorimi i celularëve në drejtim”.

Ndërsa Gonxhja u shpreh se “një tregues kryesor shqetësues janë këmbësorët”.

“Nëse kemi një kambanë të fortë alarmi lidhur me vdekjet në aksidente ai është kalimi i gabuar i rrugës, apo mungesa e sinjalistikës në mjetet pedaluese. Nga ana tjetër kemi ulje në vdekshmëri në indekse për 10 mijë mjete rrugore. Ne jemi në nivelin 198 mjete për 1 mijë banorë dhe kjo shifër do vijë në rritje më të shpejtë. Vetëm në vitin 2021 ne kemi 120 mijë mjete më tepër në rrugë. Pra rritet qarkullimi në territor ndaj duhet të ndyshojmë komplet sjelljen”, tha Gonxhja.

Ai theksoi se “kemi 10% më pak aksidente me pasoja se në vitin 2019 dhe 9% më pak vdekshmëri se viti 2019”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.