Ballina Ekonomi

Sula: Paketa fiskale, falimentim i fermerëve

TIRANË, 20 nëntor /ATSH – I. Vata/ Deputeti i PD-së, Dashnor Sula deklaroi sot se bujqësia është në fatalitet.

Sipas Sulës paketa fiskale e qeverisë është shkatërrim për bujqit.

“Projektbuxheti i vitit 2022 dhe Paketa Fiskale nuk reflektojnë asgjë tjetër veçse ndihmë për klientët e Edi Ramës dhe falimentim të fermerëve të ndershëm dhe nxitje për emigrim të familjeve që merren me bujqësi dhe blegtori. Më poshtë kam shkëputur tri ndryshime në ligjin për TVSH që shtyjnë fermerët e ndershëm drejt greminës. Kësisoj, ky projektligj propozon masa të politikës fiskale që konsistojnë në: Trajtimin me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 10 për qind të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë: plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidan. Përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe të pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë. Zëvendësimin e normës së kompensimit të prodhuesit bujqësor prej 6 për qind në 0 për qind”, tha ai.

“TVSH për inputet bujqësore aktualisht është 0%. Në vitin 2022 do bëhet 10%. Në kushtet kur çmimet i inputeve  bujqësore janë rritur si pasojë e efektit negativ që shkaktoi pandemia, ngarkesa edhe me 10% TVSH do rrisë ndjeshëm koston e fermerëve të Peqinit, Belshit, të gjithë qarkut të Elbasanit por edhe fermerëve në të gjithë Shqipërinë .Deri më tani janë përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar importi i makinerive bujqësore për kontratat 50 milionë lekë ndërsa ndryshimet e reja e rrisin këtë prag në 500 milionë lekë. Ky ndryshim nuk bën gjë tjetër veçse trajton në mënyrë preferenciale oligarkët e bujqësisë. Fermerët e vegjël nuk kanë fuqi investuese aq të mëdha. Heqja e rimbursimit të TVSH një tjetër goditje. Fermerët blejnë çdo nënprodukt apo çdo element për të kultivuar produktin e tyre me 20% TVSH. Deri më tani shteti i ka kompensuar 6% të vlerës së TVSH. Por nga viti i ardhshëm fermerët do marrin 0 lek mbrapsht për të kompensuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Edhe kjo masë e padrejtë e qeverisë do bëj që të rritet sërish çmimi i produkteve të fermerit shqiptar”, shprehet ai. /a.a/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDieta ”poker” që shpëton zemrën
Artikulli tjetërCOVID-19 – Republika Çeke kundër mbylljes, pavarësisht numrave në rritje