Ballina Flash

Tirana në sytë e Sigurimit të Shtetit

TIRANË 19 nëntor /ATSH-I.Vata/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944 organizoi sot ceremoninë e prezantimit të projektit me temë “Tirana në sytë e Sigurimit të Shtetit”.

Fazat nëpër të cilat do të kalojë projekti u prezantuan nga kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, kryetari i Shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, nënkryetari i bashkisë Tiranë, Andi Seferi dhe drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi.

Sipas kryetares Sula, “kujtesa i bën të gjithë bashkë, historianët, studiuesit, familjet, institucionet, arkivat. Duke mbështetur bashkëpunime të tilla, secili aktor luan rolin e vet të rëndësishëm në proceset përkujtuese”.

Sula bëri një paraqitje të detajuar të survejimit të Tiranës nga Sigurimi, shoqëruar me statistika, grafikë dhe të dhëna mbi dokumentacionin zyrtar të administruar nga Autoriteti.

Kryetari i Shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj theksoi se “ky qytet ka shumë histori për të treguar dhe ne duhet të krijojmë kushtet që e vërteta të dalë në shesh. Ajo të bëhet e njohur për të gjithë, shoqërinë, të rinjtë, ata që kanë zgjedhur të jetojnë e rrisin fëmijët e vet në Tiranë.”

Andi Seferi, nënkryetar i bashkisë Tiranë e vuri theksin te rëndësia e nismave të tilla, që i bëjnë të gjithë bashkë.

Seferi pranoi përgjegjësinë e Bashkisë dhe tregoi gatishmëri në vlerësimin e figurave e personaliteteve, në vendosjen e pllakatave dhe emrave të rrugëve, shkollave e shesheve, duke u mbështetur në propozimet e komunitetit dhe të shoqatave.

“Është e rëndësishme që arkivat të hapen, të studiohen dhe botimet e rëndësishme që i kryqëzojnë studimet mbi arkivat, të jenë produktet serioze të bashkëpunimeve të tilla”, u shpreh Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Historisë, ASA.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, Klotilda Bushka, si deputete dhe si qytetare e Tiranës nënvizoi rëndësinë e ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, sipas të cilit, “i nënshtrohen mbrojtjes së veçantë, si pasuri kulturore, pas deklarimit, edhe… vendet e pushkatimit dhe vendvarrimet e fshehta të periudhës së diktaturës komuniste”. Ruajtja e vendeve të tilla është një hap në punën me të pagjeturit e komunizmit.

Genti Kruja, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, bëri një paraqitje të klerit të dënuar, përndjekur dhe ekzekutuar nga regjimi, që ditët e para të instalimit të tij, duke mbështetur studimin e thelluar të figurave të tilla, në Tiranën kryeqytet.

Në emër të komunitetit, pjesëtarë të nderuar të familjeve tiranase që pësuan përndjekjen,  Afërdita Dalliu dhe Xhimi Begeja, shprehën qasjen e tyre ndaj projektit dhe përvojën personale të përndjekjes. Paola Pesjaka, studente e ekselencës, foli në emër të të rinjve dhe mundësisë së tyre për t’u përfshirë dhe angazhuar.

Marsida Najdeni, përfaqësuese e familjeve tiranase, e cila kontribuon gjerësisht në njohjen me figurat dhe personalitetet vendase, e përshëndeti takimin nga SHBA, ku jeton aktualisht, me mesazhin e ruajtjes së vlerave të së shkuarës, bashkimit dhe investimit së brendshmi për një Tiranë të të gjithëve.

Paneli i dytë i studiuesve dhe historianëve, mes të cilëve, prof. dr. Nevila Nika, prof. as. dr Sonila Boçi, drejtuese e ekipit, dr. Gjon Boriçi e dr. Hasan Bello nga Instituti i Historisë, dhe Irida Vorpsi, prezantoi projektin mbi Tiranën, i natyrës kërkimore dhe të edukimit qytetar për demokraci, që do të zhvillohet në disa etapa, duke nisur me kujtesën historike deri në hapa konkretë përkujtues.

Partneriteti me historianët dhe bashkësinë, po ashtu me institucionet dhe organizatat vendore, garanton hulumtimin e materialit voluminoz arkivor dhe botime të dedikuara të profileve të personaliteteve dhe ngjarjeve historike, mbledhje të dëshmive gojore, ekspozita, ruajtje të vendeve të kujtesës, emërtim të shkollave, rrugëve, shesheve, dhe vendosje të tabelave përkujtimore në të gjithë qytetin, vlerësim me tituj nderi, si bashkëveprim i të gjithë aktorëve me komunitetin, nga krijimi i burimeve serioze studimore mbi të shkuarën, te vëmendja ndaj atyre që u përballën me dinjitet njerëzor me shtypjen.

Gjatë aktivitetit u plotësuan kërkesa për informim nga të pranishmit e interesuar dhe u shpërndanë gjerësisht botime të Autoritetit dhe partnerëve.

Ekspozita dokumentare me materiale të ish-Sigurimit të Shtetit për Tiranën u vizitua gjatë ditës, nga qytetarët, të rinjtë e shkollave dhe të interesuarit për njohjen më në detaje me materialet arkivore të propozuara.

Dialogu për Tiranën është ftesë për reflektim, një mundësi që shoqëria, studiuesit dhe institucionet, duke përfshirë të rinjtë, të bashkëpunojnë për të shtuar burimet në ndërtimin e një narrative të re, mbështetur në gjenealogji, historitë lokale, respektin ndaj viktimave dhe lehtësimin e dhimbjeve të tyre, po ashtu nderimin e figurave historike dhe personaliteteve të kryeqytetit, të survejuar, përndjekur e të përbaltur nga diktatura.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPlani Kombëtar i Deinstitucionalizimit, Manastirliu: Busulla që na orienton është interesi i fëmijëve
Artikulli tjetërVdes fotografi legjendar Mick Rock