Ballina Ekonomi

Protesta e fermerëve, Krifca: Kërkesat të adresuara në buxhetin 2022

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se, “kërkesat e fermerëve për paketën fiskale janë të adresuara mjaft mirë në buxhetin e vitit 2022”.

Në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Krifca iu përgjigj interesimit për protestën e fermerëve të Lushnjës dhe nëse ka pasur një reagim nga qeveria për kërkesat e tyre.

Ministrja informoi se është në dialog të vazhdueshëm me fermerët.

“Kam qenë në Lushnjë, në pikat e grumbullimit kam takuar fermerët dhe dialogu nuk ka munguar asnjëherë. Ata kanë disa pretendime për paketën fiskale, që janë të adresuara në fakt mjaft mirë në buxhetin e vitit 2022, që vijnë si masa direkte mbështetëse për fermerët për rritjen e produktivitetit në bujqësi, që është dhe objektivi kryesor i qeverisë për të pasur sa më shumë eksporte dhe mirëqenie”, deklaroi Krifca.

“Jemi në dialog të vazhdueshëm, jemi në një barrikadë dhe jemi në të njëjtin kah, dhe duam të kemi një bujqësi më të qëndrueshme”, tha ajo.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Shqipëria nuk do jetë kurrë vend me kampe refugjatësh
Artikulli tjetërKomisioni i Ligjeve miraton nen për nen buxhetin 2022