Ballina Aktualitet

Vrasja e të miturit, Meta: Ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta reagoi sot ndaj vrasjes së 8-vjeçarit ditën e djeshme në qytetin e Fierit.

“Vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi”, theksoi Meta.

“Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale”, u shpreh Meta.

“Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë”, nënvizoi Meta.

“Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t’u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i postvuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar”, theksoi Meta.

“Nuk kam fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo. Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen”, përfundoi Presidenti Meta.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVrasja e 8-vjeçarit, Kushi: Kambanë alarmi, jo vetëm mesazhe ngushëllimi
Artikulli tjetërBalla viziton familjen e vogëlushit të vrarë: I gjendemi pranë