TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Zhvillimi dhe zbatimi i politikës së kërkimit dhe inovacionit është thelbësor për përmirësimin e konkurrencës, nxitjen e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.
Në projektbuxhetin e vitit 2022, qeveria i ka kushtuar një vëmendje të veçantë nxitjes së inovacionit përmes investimeve në digjitalizim që përfshijnë ministritë përkatëse në sektorët e rendit, mbrojtjes, shëndetësisë, financave dhe ekonomisë dhe arsimin.
Ndërkohë që do të fillojë zbatimin faza e dytë e projektit Eu4innovation, financuar nga Bashkimi Europian, në një shumë prej 10 milionë euro, nga të cilat rreth 4 milionë euro grante për nxitjen e krijimin e startup-eve.
Përmes këtij projekti “BE për Inovacionin” synon të forcojë ekosistemin e inovacionit që është një “ide e re, mendim kreativ, imagjinata të reja në formë pajisjeje ose metodë” dhe shihen si aplikimi i zgjidhjeve më të mira që plotësojnë kërkesat e reja të tregut.
Projektbuxheti 2022 adreson një fond prej 1.9 miliardë lekë për arsimin parauniversitar në ngritjen e laboratorëve shkencorë dhe klasave të teknologjisë së informacionit, me qëllimin që të rinjtë do të përshtaten më mirë me kërkesat dhe ofertat në tregun e punës.
/j.p/r.e/























