TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi sot vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Vlorës, Ervin Trashi.
Trupi gjykues që kreu procesin e vetingut për gjyqtarin Trashi, kryesohej nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firded Shulin dhe anëtare Suela Zhegun.
Kryesuesja Bekteshi sqaroi gjatë shpalljes së vendimit, se gjyqtari Trashi nuk kishte arritur të kundërshtonte gjithë barrën e provës dhe për këtë arsye ishte vendosur të mos pranohej kërkesa e tij për çeljen e hetimit administrativ për profesionalizmin.
Gjyqtari Trashi nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.
Ervin Trashi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Prej vitit 2011, ai e ushtron funksionin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
/r.e/












