TIRANË, 9 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Sistemi i kamerave inteligjente në rrugë dhe dronët inteligjentë janë dy projekte të tjera që do të sigurojnë një kapërcim të madh për mirëqeverisjen e territorit”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për Ministrinë e Mbrojtjes.
Rama tha se falë kamerave inteligjente, për herë të parë në funksion në Republikën e Shqipërisë, do të kemi një monitorim në kohë reale të të gjithë trafikut në akset rrugore.
“E keni dëgjuar këtë dhe më parë nga unë, por sot jemi në fazën kur me një financim të siguruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është ndërtuar qendra e kontrollit kombëtar të rrugëve në Republikën e Shqipërisë dhe në një proces që vazhdon, po punohet për fillimin e investimit dhe vendosjen e gjithë sistemit të kamerave inteligjente, që do të heqë përfundimisht nga rruga, nga akset kombëtare, patrullat, që qëndrojnë në vend dhe bëjnë kontrolle sipas rastit dhe do ta vendosë policinë në funksion të reagimit, bazuar mbi faktet, dhe faktet do të mblidhen në kohë reale në qendrën e kontrollit”, tha Rama.
Ky, sipas tij, “do jetë kapërcim i madh për mirëqeverisjen e territorit, për racionalizimin e energjive të Policisë së Shtetit dhe për zhdukjen përfundimtare të ngjarjeve korruptive”.
Po ashtu, Rama tha se “dronët inteligjentë do jenë në dispozicion të Policisë së Shtetit dhe do i japë mundësi që në kohë reale të organizojë ndjekje personash në kërkim, identifikim personash, deri dhe kur fshihen në pyll, me temperaturën e trupit të tyre”.
“Po ashtu Policia mund të organizojë operacione shpëtimi, së bashku me emergjencat e me radhë, kur personat ngelin në dëborë apo në zgrip dhe nuk kanë qasje në rrjet për t’u identifikuar”, tha ai.
Rama tha se “të gjitha këto janë investime masive që ndryshojnë komplet kapacitetin e mbledhjes së informacionit të Policisë së Shtetit, dhe raportin e Policisë së Shtetit me njerëzit, sepse do ketë gjithmonë e më pak kontakt të drejtpërdrejtë”.
“Kur ka kontakt të drejtpërdrejtë, policia nuk është aty “Hajde se po kontrollojnë, të gjejmë apo jo”, por do jetë aty për të ekzekutuar një vendim të marrë bazuar në një informacion të pakontestueshëm, që është marrë nga qielli”, tha ai.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se “lufta kundër krimit është prioriteti i prioriteteve, përfshirë të gjitha aspektet e saj dhe është një front, ku është bërë progres i dukshëm, por ku ka ende shumë për të bërë”.
“Ndihet ende mungesa e të njëjtit efikasitet, siç për shembull ka pasur operacioni ‘Forca e ligjit’ apo në tërësi kjo pjesë e organizimit policor, tek lufta kundër krimit financiar, krimit ekonomik. Aty është e domosdoshme të vendosen më shumë forca, të përqendrohet më shumë vëmendje e të krijohen kushtet për të arritur të njëjtat rezultate si me gjithë pjesën tjetër që ka të bëjë me luftën kundër krimit”, tha Rama.
Në këtë aspekt, Kryeministri theksoi se “një tjetër investim i rëndësishëm, ku policia dhe Ministria e Brendshme do të jetë një nga entitetet kryesore që do ta përdorin, është qendra e re që do të ndërtohet nga Ministria e Mbrojtjes kundër krimit kibernetik, një qendër e nivelit më të lartë e teknologjisë”.
/r.e/













