TEHERAN, 5 nëntor /ATSH-DPA/ – Pavarësisht negociatave ndërkombëtare të planifikuara për në fund të nëntorit në Vjenë, Irani vazhdon pandërprerë të zgjerojë programin e tij bërthamor, njoftoi të premten zëdhënësi i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit (AEOI).
“Ne deri më tani kemi prodhuar dhe ruajtur mbi 210 kilogramë uranium të pasuruar 20% dhe 25 kilogramë uranium të pasuruar 60%,” tha zëdhënësi i AEOI, Behrouz Kamalvandi.
”Kjo është një arritje e madhe teknologjike për vendin dhe askush nuk mund t’ia heqë këtë të drejtë Iranit”, theksoi zëdhënësi.
Gjetjet e reja janë një shkelje e qartë e kushteve të marrëveshjes bërthamore të Vjenës të vitit 2015, sipas së cilës Irani mund të pasurojë uranium vetëm në më pak se 4%.
Teherani madje pretendon se është teknikisht i aftë të prodhojë deri në 90% uranium, uranium i përshtatshëm për armët bërthamore.
Në të njëjtën kohë, shteti teokratik islamik vazhdimisht thekson se ”është kundër prodhimit të çdo arme të shkatërrimit në masë për arsye fetare”.
Më 29 nëntor do të rifillojnë në Vjenë negociatat bërthamore për rivendosjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin./ /os/












