TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ambienti financiar ka mundësuar një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme të kredisë për sektorin privat.
Sipas BSH-së, portofoli i kredisë bankare u rrit me 8.9 % në fund të tremujorit të tretë, i diktuar nga zgjerimi i kredisë në lekë, i kredisë për qëllime investimi dhe i asaj për blerje banese.
Ecuria pozitive e kreditimit ka pasqyruar si zgjerimin e kërkesës ashtu dhe përmirësimin e ofertës.
“Kjo e fundit është ndikuar nga bilancet e shëndetshme të sektorit bankar, ku spikat reduktimi në nivelin 6.5% i raportit të kredisë me probleme në muajin shtator, si dhe nga qasja proaktive ndaj kreditimit e adoptuar nga sektori bankar”, thekon BSH-ja, teksa evidenton se, deficiti buxhetor u reduktua në 2.7 % të PBB-së gjatë tremujorit të tretë, duke pasqyruar një rritje më të shpejtë të të ardhurave në raport me shpenzimet, por ai pritet të vijë në zgjerim gjatë tremujorit të katërt dhe norma e papunësisë zbriti në nivelin 11.6 %.
/j.p/r.e/























