Ballina Aktualitet

“Për bashkëqeverisjen”, Spiropali: Debatet e opozitës, të ezauruara

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut diskutoi sot nen për nen projektligjin “Për bashkëqeverisjen”.

Gjatë diskutimit, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se qëllimi i pr/ligjit është përmirësimi i kushteve për bashkëqeverisje me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se përmes këtij ligji bëhet një politizim i administratës.

“Ligji që përcakton rregullin e ruajtjes së neutralitetit të administratës është ligj me shumicë të cilësuar, me arsyen e vetme që të mos politizohet”, tha ai.

Por ministrja Spiropali tha se Alibeaj nuk ka lexuar draftin e dakordësuar të relatores me grupin nismëtar.

“Unë ju falënderoj ju dhe komisionin për të gjithë kontributin që ka dhënë për këtë projektligj, dhe posaçërisht ju si relatore e projektligjit, që në dakordësi me grupin nismëtar ka ardhur në këtë produkt, i cili jo vetëm nuk u lexua, por besoj nuk është lexuar as para se të vihej në këtë Komision, pavarësisht teatralitetit të shquar të disa prej deputetëve këtu, që unë i dëgjoj me ëndje se më shijon toni dhe theksi. Për sa i përket çështjeve që ju diskutuat këtu si relatore, por edhe si kryetare, unë dëgjova që Alibeaj i referohej një varianti të vjetër të ligjit dhe po diskutonte në parim, diskutime që ne i kemi ezauruar në diskutimin këtu. Unë e kuptoj që ju me patjetër duhet ta bëni këtu diskutimin tuaj dhe të flisni edhe në seancë, e keni këtë të drejtë, madje flisni sa më shumë se mirë është që qytetarët t’ju dëgjojnë, por për sa i përket pr/ligjit mund t’i referohemi ndryshimeve që janë bërë, se ka qenë kontribut i përbashkët. Të jeni i sigurt që është parë me vëmendje dhe janë dakordësuar për sa i përket ndryshimeve. Kanë qenë propozime edhe të grupit nismëtar, edhe të relatores që ka ardhur ky produkt, i cili ia vlen të gjykohet kështu siç është sot për t’u kaluar ose jo në këtë komision të nderuar. Pastaj diskutimet e tjera nuk besojnë se vlejnë për këtu. Keni foltoren… e Kuvendit”, tha Spiropali.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKreditimi i investimeve në energjetikë, 1.28 miliardë lekë
Artikulli tjetërÇfarë është taurina?