Ballina Aktualitet

Kryemadhi: Integrimi duhet shpëtuar nga pengmarrja e interesave private

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u shpreh sot se, “Instituti Demokratik Amerikan (NDI) është një partner i vyer i LSI-së dhe Shqipërisë, për ndërtimin dhe rritjen e demokracisë në vend”.

Kryemadhi zhvilloi sot takim me presidentin e NDI, Derek Mitchell dhe drejtorin rajonal Robert Benjamin.

“Gjatë takimit të sotëm vlerësova mbështetjen e pakursyer të ofruar ndër vite dhe bashkëndamë mendimin për nevojën e pavarësimit dhe fuqizimit të parlamentit, si institucioni bazë që garanton një demokraci funksionale që i shërben të gjithë qytetarëve”, tha Kryemadhi në një reagim.

“Duke i shprehur nevojën për një aktivitet të shtuar të NDI në Shqipëri, me theks tek mbështetja e të rinjve dhe grave në politikbërje, i nënvizova qëndrimin tonë, se integrimi i Shqipërisë në familjen evropiane, duhet shpëtuar nga pengmarrja e interesave private të politikanëve, dhe LSI do të vijojë e angazhuar, si një opozitë konstruktive për të çuar përpara reformat dhe aksionet e nevojshme që e realizojnë këtë mision sa më parë”, theksoi Kryemadhi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKontrolli i politikanëve, PS ka ende rezerva për nismën e opozitës
Artikulli tjetërSHBA – Thesari merr 1,02 trilionë dollarë hua në T4 2021