Ballina Aktualitet

Zgjatja e Vetingut, Rushaj: Ndryshimet kushtetuese të diskutohen së bashku

TIRANË 1 nëntor/ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj deklaroi sot, pas largimit nga mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut se Partia Socialiste refuzon diskutimin e përbashkët të nismave kushtetuese për zgjatjen e organeve të Vetingut.

Rushaj propozoi në mbledhje shtyrjen e seancës për në datën 3 nëntor dhe shqyrtimin në atë mbledhje edhe të nismës së propozuar nga deputetët e opozitës për reformën zgjedhore.

Në një prononcim për mediet, Rushaj u shpreh se PD kërkon diskutimin në tërësi të ndryshimeve në Kushtetutë.

“Meqë procedura është e tillë që kërkon caktimin e ekspertëve, të relatorëve nga të dyja palët, i propozuam të bashkohen të dyja nismat pasnesër, jo pas dy muajve, por pasnesër, në mënyrë që të diskutohen siç duhet, të harmonizuara, duke pasur efektet që mund të kenë tek njëra-tjetra dispozitat e propozuara për ndryshim, si edhe duke parasysh një kalendar të punimeve të Kuvendit, të dyja nismat ishin të harmonizuara bashkë”, u shpreh Rushaj.

“Në mënyrë tërësisht të çuditshme, PS refuzoi që ta shtynte diskutimin me dy ditë që të diskutohet i gjithë ndryshimi kushtetues. Nuk e kuptojmë këtë gjë pasi këtu po flitet për një konsensus që ka nevojë për votat e të dyja palëve, 93-94 vota, ndërkohë që nuk bien dakord për të shtyrë me dy ditë një mbledhje ku do të diskutohen këto ndryshime. Edhe pse ne e kemi përsëritur dhe e themi prapë, se kur u mbaron rroga 14 vetave që merren aktualisht me Vetingun, nuk mund të jetë prioriteti i shqiptarëve. Ne themi jemi të gatshëm ta diskutojmë pasnesër, sa kohë diskutohet në tërësi ndryshimi kushtetues, mazhoranca këtë gjë e refuzon. Ne jemi të gatshëm që pasnesër të diskutojmë në tërësi ndryshimet të shohim nëse ka reflektim apo jo nga ana e tyre”, tha ai.

Rushaj tha se po propozohet ndryshimi i disa neneve të një ligji.

“Propozimi ynë është që meqë është një ligj, pasnesër të hapet diskutimi, të caktohen relatorët për të gjitha ndryshimet e propozuara dhe të vazhdohet normalisht me kalendarin. Nuk e duan. I duan të ndara nga njëra-tjetra, shqyrtimin e këtyre nismave, gjë që është e paarsyeshme. Po shikohet të ndryshohet një ligj, i cili ka disa nene. Ne nuk mund të mblidhemi sot me një trup të veçantë për nenin 1, dhe pastaj pas 2-3 ditëve, me një trupë të veçantë për nenin 5. Një projektligj shqyrtohet në tërësi”, tha Rushaj.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKrifca: Universiteti Bujqësor i Tiranës, bashkëpunëtor i vyer
Artikulli tjetërCOP26 – Guterres: Ndaloni masakrën mbi Tokën