TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Rëndësia e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale- në këndvështrimin e biznesit”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale.
Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të biznesit.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj vuri theksin në rëndësinë e pronësisë intelektuale në drejtim të stimulimit të zhvillimit ekonomik të vendit, duke përbërë një tregues të nivelit të dinamikës të aktivitetit tregtar.
Ibrahimaj vlerësoi arritjet e deritanishme në fushën e pronësisë intelektuale, reformimi i së cilës është prioritet i qeverisë, dhe u shpreh se respektimi dhe mbrojtja e pronësisë intelektuale është thelbësore për konkurrencën e ndershme dhe zhvillimin ekonomik.
Ministrja kërkoi më shumë angazhim për ndërgjegjësimin e biznesit për përfitimet që vijnë nga regjistrimi dhe mbrojtja dhe e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe industriale.
Drejtoresha e Përgjithshme e DPPI, Ledina Beqiraj bëri një panoramë të zhvillimeve dhe arritjeve në fushën e pronësisë intelektuale, ku një punë e madhe është bërë për ndërgjegjësimin e bizneseve.
Gjatë periudhës janar-tetor 2021, pranë DPPI u depozituan 2,335 aplikime për markë, nga të cilat 727 prej tyre janë me aplikantë shtetas Shqiptarë, krahasimisht me vitin 2020 ku u depozituan 566 aplikime po nga shtetas shqiptarë.
Rezultatet e arritura, sipas Beqiraj, tregojnë interesim jo vetëm të biznesit vendas apo krijuesit vendas për të regjistruar krijimtarinë, por dhe të tregut ndërkombëtar të cilët shfaqin interes dhe kërkojnë mbrojtje dhe për tregun shqiptar.
DPPI është përfshirë edhe në portalin unik qeveritar e-Albania me 154 shërbime online për biznesin apo çdo individ, i cili mban apo ka krijuar një objekt të pronësisë industriale. Kjo ka krijuar lehtësira shumë të mëdha pasi, deri tani, 81 aplikime janë bërë me anë të këtij portali dhe kanë vijuar me proceset apo janë pajisur me certifikatën përkatëse.
Kryeinspektori i ISHMT, Lavdrim Sahitaj bëri të ditur se gjatë periudhës janar-tetor janë kryer 313 inspektime mbi të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to. Sipas tij janë vendosur 57 dënime administrative dhe janë paraqitur 20 ankesa për cenimin e markave tregtare, për të cilat janë legjitimuar dhe janë kryer 7 inspektime dhe janë vendosur 6 masa administrative me gjobë.
Përveç inspektimeve, ISHMT është fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit për bizneset dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.
Së fundmi janë miratuar disa ndryshime ligjore në ligjin “Për pronësinë industriale”, të cilat do ti mundësojnë ISHMT-së një numër më të lartë inspektimesh në këtë fushë dhe rregullimin e tregut të brendshëm nga mallrat e falsifikuara.
/a.a/





















