Ballina Flash

FUTBOLL – Barcelona shkarkon trajnerin Koeman

BARCELONË, 28 tetor /ATSH-AA/ – Barcelona shkarkoi trajnerin Ronald Koeman të mërkurën pas humbjes 1:0 ndaj Rayo Vallecano, bëri të ditur klubi i La Ligës.

“FC Barcelona ka shkarkuar Ronald Koeman nga detyra e tij si trajner i ekipit të parë. Presidenti i klubit, Joan Laporta, bëri njoftimin për vendimin pas disfatës ndaj Rayo Vallecano-s”, thuhet në njoftimin e klubit.

“Ronald Koeman do t’i thotë lamtumirë skuadrës të enjten në Ciutat Esportiva. FC Barcelona dëshiron ta falënderojë për shërbimin e tij për klubin dhe i uron gjitha të mirat në karrierën e tij profesionale”, thuhet më tej.

Barça është në vendin e nëntë në La Liga me 15 pikë në 10 ndeshje.

Disfata e së mërkurës erdhi pasi skuadra humbi kundër Real Madridit të dielën.

Ish-trajneri holandez, 58-vjeç, u shkarkua pas 14 muajsh në krye me 39 fitore, 12 barazime dhe 16 humbje në 67 ndeshjet e tij. Ai gjithashtu fitoi Copa del Rey 2021.

Sipas mediave lokale, ish-mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez thuhet se është kandidati më i përfolur për të zëvendësuar Koemanin.

Në fillim të këtij muaji, klubi mbështeti trajnerin Koeman pavarësisht rezultateve zhgënjyese.

“Pavarësisht rezultateve, Koeman do të vazhdojë të jetë trajner i Barçës. Kontrata e tij është ende në fuqi”, pati deklaruar para gazetarëve presidenti i Barcelonës, Laporta më 2 tetor.

Koeman ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm të gjeneratës së tij, në pozitën e mbrojtësit për klubet holandeze Ajax, PSV Eindhoven, Feyenoord si dhe Barcelona.

Ai fitoi Kupën e Kampionëve të Klubeve të Evropës dhe një triumf të Superkupës së UEFA-s me Barcelonën dhe një tjetër Kupë të Kampionëve Evropian të Klubeve me PSV-në gjatë karrierës së tij si lojtar.

Legjenda holandeze fitoi Kampionatin Evropian të vitit 1988 i njohur gjerësisht si UEFA “EURO 88” me Holandën, titulli i vetëm i madh i vendit.

Barcelona e angazhoi Koemanin në vitin 2020 me një kontratë deri në qershor 2022.  /os/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKursi i këmbimit, leku nënçmohet në raport me valutat
Artikulli tjetërOBSH: Tetori muaji ideal për t’u vaksinuar kundër gripit