TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Shëtitorja e liqenit të Pukës, e kthyer tashmë në destinacion turistik, po rehabilitohet.
Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj i shoqëruar nga zëvendëskryetari Mustaf Kopani, drejtoresha e Urbanistikës Alda Mema, drejtori juridik Endrit Kraja, inspektuan punimet për shtrimin me pllakë të shëtitores së liqenit.
Investimi më i ri i bashkisë Pukë i planifikuar në dy faza po realizohet me kosto të ulët (kosto e blerjes pllakës), ndërsa i gjithë procesi tjetër po kryhet nga Drejtoria e Shërbimeve Komunitare në bashki.
Kryetari i bashkisë Gjonaj tha se “ky investim përmbush një tjetër element të rëndësishëm në oazin çlodhës të qytetit duke realizuar dhe një kërkesë të qytetarëve”.
Drejtoresha e Urbanistikës Alda Mema tha se “janë 3000 m2 sipërfaqe që po shtrohen me pllaka. Punimet e nisura këtë vit pritet të përfundojnë në 2022”.
Sipas saj, shtrimi i shëtitores do të sjellë ndryshim dhe do të jetë i prekshëm për qytetarët.
Liqeni tashmë është kthyer në një destinacion turistik dhe ofron për të gjithë vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin. Puka është një ofertë turistike e veçantë, mjaft e përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut) dhe për veprimtari të tjera çlodhëse e argëtuese.
/k.s/a.a/r.e/






















