Ballina Bota

KOLUMBI – Policia arreston trafikantin më të kërkuar të vendit

BOGOTA, 24 tetor /ATSH-DPA/ – Autoritetet kolumbiane deklaruan se kishin arrestuar Dario Antonio Usuga David, alias Otoniel, kreu i klanit ”Del Golfo” dhe trafikanti më i kërkuar në vend.

”50-vjeçari u kap nga një forcë e përbashkët e përbërë nga ushtria, aviacioni dhe Policia Kombëtare, në rajonin e Urabas në departamentin e Antioquia, në veriperëndim të Kolumbisë”, tha presidenti Ivan Duque.

“Kjo është goditja më e rëndë… ndaj trafikut të drogës në këtë shekull në vendin tonë”, tha Duque në një konferencë shtypi duke shtuar se arrestimi ishte i krahasueshëm me vrasjen e bosit të drogës, Pablo Escobar në 1993.

“Alias ​​Otoniel ishte bosi i drogës më i frikshëm në botë, një vrasës i policisë, ushtarëve, aktivistëve lokalë”, tha Duque.

“Ky është fundi i klanit ‘Del Golfo”, shtoi presidenti.

Usuga David akuzohet për krime të ndryshme duke përfshirë trafik droge, vrasje, zhvatje, rrëmbim dhe konspiracion.

Departamenti amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim deri në pesë milionë dollarë për informacionin që çonte në arrestimin dhe/ose dënimin e tij.

Klani ”Del Golfo”, i quajtur më parë ”Los Urabenos” dhe ”Clan Usuga”, është një organizatë e armatosur rëndë, e përbërë nga ish-anëtarë të organizatave terroriste që nuk u çmobilizuan si pjesë e procesit të paqes të qeverisë kolumbiane./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShkëmbimet tregtare me Greqinë, 58 miliardë lekë
Artikulli tjetërPër një zemër të shëndetshme kontrolloni tryezën!