TIRANË 21 tetor /ATSH-I.Vata/ Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është depozituar një ankesë në adresë të deputetes demokrate Elda Hoti, ku sipas dokumenteve të dorëzuara thuhet se është fshehur ndryshimi i emrit të babait të saj nga David Hoti, në Artan Hoti.
Ankimi është bërë në adresë të kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi ndërsa për dijeni i është dorëzuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, drejtuesit të SPAK si edhe ambasadorëve të SHBA dhe BE në Tiranë.
“Kjo deputete në vetëdeklarimin e saj ka fshehur ndryshimin e emrit të babait të saj nga David Hoti, në Artan Hoti. Ky ndryshim është bërë më datë 30 prill 2002 dhe kandidatja për deputete Elda Hoti nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Duke fshehur këtë të dhënë te gjeneralitetet e saj, deputetja nuk mund të përfaqësojë komunitetit të saj në parlamentin shqiptar. Kjo deputete përse e ka fshehur këtë ndryshim, e ka harruar, apo babai i saj ka pasur një të shkuar kriminale ku është dënuar për disa vepra të rënda penale, si ajo e trafikimit të lëndëve narkotike dhe trafikim të qenieve njerëzore”, thuhet në ankimin e dorëzuar në KQZ, ku pretendohet se deputetja Elda Hoti ka shkelur ligjin për dekriminalizimin dhe konsumuar vepër penale.
Ankesa e dorëzuar në KQZ, mban datën 13.10.2021, ndërsa deri më tani nuk ka ende një vendim prej këtij institucioni.
Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës, Elda Hoti, mori mandatin e deputetes pas dorëheqjes së Mark Markut.
/j.p/r.e/






















