INSTAT, tryezë informuese për censin e popullsisë dhe banesave

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Instituti i Statistikave po vijon tryezat informuese me grupet e interesit në bashkitë që janë përzgjedhur për pilotin e censit të popullsisë dhe banesave.

Sipas INSTAT, ditën e sotme përfaqësues të INSTAT kanë qenë në bashkinë Selenicë të qarkut të Vlorës, ku diskutuan mbi fazën pilot për censin e popullsisë dhe banesave.

Faza pilot e censit kryhet në kuadër të përgatitjeve për numërimin e popullsisë rezidente dhe banesave, i cili do të kryhet në vitin 2022 dhe ka një afat kohor 10-vjeçar.

Faza pilot do të zgjasë deri më 15 nëntor dhe do të testojë përshtatshmërinë e të gjithë procedurave të censit. Janë përzgjedhur 50 zona censi në 9 bashki të vendit: Fushë-Arrëz, Dibër, Tiranë, Kamëz, Durrës, Korçë, Pustec, Selenicë dhe Dropull.

Rezultatet e censit pilot do të analizohen me kujdes nga INSTAT për të marrë masa për kryerjen me sukses të censit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave në vitin 2022.

Censi do të shërbejë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë banuese, ndërtesave dhe banesave.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.