Berisha në Kukës: Betejë për sovranitetin e PD-së

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Ish-kryeministri Sali Berisha vijoi sot në qytetin e Kukësit takimet e tij me demokratët.

Në “Foltoren” e qytetit të Kukësit, Berisha theksoi se, “sot mblidhemi në këtë foltore për të vendosur së bashku që t’i rikthejmë Partisë Demokratike shpirtin e saj të lirisë, votën”.

“Ne mblidhemi në momente kritike për vendin, në një kohë kur një njeri, i cili ka kaluar në këto 8 vite nga skandali në skandal, ka kaluar në këto 8 vite, me qeverisjen e tij duke e shndërruar Shqipërinë në ‘delen e zezë’ në rajon, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin më të pashpresë të planetit”, – tha Berisha.

Ne si PD, vijoi Berisha, jemi në një situatë të vështirë, por jemi në një situatë ringjalljeje të fuqishme.

“Vijmë në një kohë që ish-kryetari deklaroi masakrën elektorale, por u mor me karrigen e tij dhe harroi çdo gjë për votën. Kjo betejë është betejë për dinjitetin tonë, për sovranitetin e kësaj partie”, nënvizoi Berisha.

Ish-kryeministri Berisha u shpreh se “foltorja është shndërruar falë shpirtit tuaj, virtyteve tuaja, në një gjenerator të fuqishëm shprese, besimi për shqiptarët”.

“Çfarë synojmë ne me këtë? Ne synojmë të bashkohemi, të gjithë ata që besojnë te vota e lirë, besojnë se njerëzit e lirë duhet të vendosin vetë, besojnë se ju duhet të zgjidhni përfaqësuesit tuaj, besoj se nuk duhet të mashtrojnë nga pazarexhinjtë. Foltorja jonë nuk synon kurrë izolimin, nuk synon cenimin e miqësive, ata që i bëjnë këto cilësime, ata janë njerëz të vegjël, shpirtzinj”, tha Berisha.

Në “Foltoren” e Kukësit Berisha foli edhe për ndryshime në statutin e kësaj force politike. Berisha dha dy opsione për të ndryshuar primaret.

“Primaret janë që të zgjedhurit vendorë dhe qendrorë të Kukësit, Hasit, Tropojës, Gjirokastrës etj., t’i zgjedhë të gjithë anëtarësia e partisë, të dalë në krye ai që merr vota më shumë. Nëse ju doni, të votojnë jo vetëm anëtarët, por edhe mbështetësit tanë, të vijnë të votojnë me ne për të përcaktuar kryetarin, deputetin, kryetarin e bashkisë. Për të përcaktuar këshilltarët”, tha Berisha.

“Ish-kryetari kur e mori karrigen kishte dhënë një urdhër, kishte përjashtuar nga gara të gjithë kryetarët e grupseksioneve. Këto marrin fund. Ish-kryetari ka vendosur në statikë që kryetarët dhe sekretarët të japin dorëheqjen, ndërsa ai vetë jo. Ai duhet të ikë sa më parë. duhet të jenë të barabartë. E fortë është ajo forcë politike ku gjithsecili ka një votë,” deklaroi Berisha.

Gjithashtu, ish-kryeministri u shpreh i hapur për krijimin e fraksioneve brenda partisë.

“Cilido që është i aftë të krijojë fraksionin është i mirëpritur. Ne s’kemi frikë nga liria. Janë të mirëseardhur. Fraksionet kanë rregullat e tyre. Ne do e bëjmë këtë parti shumë herë më demokratike. Do ta lartësojmë. Pas 30 vitesh jemi 30 herë më të zotë për ta shndërruar PD në shtëpinë e vërtetë të lirisë,” tha ai.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.