KRANJ, 6 tetor /ATSH-MIA/ – Popujt e Ballkanit Perëndimor presin që deklaratat e BE-së të shndërrohen në vepra dhe nëse BE-ja nuk vepron, zhgënjimet tek popujt në rajon do të jenë të pariparueshme dhe në dëm të madh të idesë së madhe evropiane të unitetit dhe bashkëpunimit, deklaroi sot kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
Kryeministri Zaev i bëri këto deklarata në një takim të përbashkët me kryetarin e Këshillit të Evropës, Charles Mishel, kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, komisarin për Zgjerim të BE -së Oliver Varhei, kryeministrin slloven Janez Jansa, si dhe presidentin bullgar Rumen Radev përpara samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Kranj të Sllovenisë.
Rëndësia e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor u theksua në takim dhe u mirëprit nga Brukseli.
Zgjerimi i Unionit me vendet e rajonit mbetet një prioritet strategjik, i cili pritet të vihet në dukje në deklaratën e sotme të Samitit.
Kryeministri Zaev do të zhvillojë një takim të përbashkët pune me Radev, presidentin francez Emanuel Makron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.
Kryeministri do të ketë një takim special dypalësh me zëvendëskryetarin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Joseph Borrell.
Gjatë Samitit, kryeministri Zaev gjithashtu do të ketë takime dypalëshe me homologët e tij nga Estonia dhe Irlanda, Kaja Kallas dhe Michael Marti./ /os/






















