TIRANË, 4 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot, në një prononcim për mediet se, do të nisë një proces diskutimi me opozitën për objektin e punës së komisioneve hetimore të kërkuara prej saj, për të arritur një konsensus për atë që është propozuar.
Balla tha se “komisionet hetimore parlamentare janë instrument në duart e Kuvendit dhe natyrshëm edhe të opozitës për të hetuar çështje që, pikësëpari, kanë një interes publik, por natyrshëm objekti i hetimit dhe puna e tyre rregullohet nga një ligj i posaçëm”.
“Parashikimet në Kushtetutë por edhe të ligjit janë rregulluar dhe vendosur në një kornizë nga një vendim i Gjykatën Kushtetuese, i cili ka parashikuar që në njërin krah është e drejta për të ngritur komisione hetimore dhe në anën tjetër nevoja për t’iu nënshtruar një diskutimi të gjerë parlamentar, lidhur me objektin e hetimit”, tha Balla.
Ai theksoi se “kërkesat u depozituan në fund të javës që shkoi, dhe brenda afatit 5-ditor ato kanë hyrë në diskutimin e Konferencës së Kryetarëve”.
“Unë kam propozuar që numri i këtyre anëtarëve mos të jetë kaq i madh. Kam drejtuar prej shumë vitesh komisione hetimore parlamentare, ose kam qenë nënkryetar në rastin kur është kërkuar nga opozita dhe mund t’ju them që sa më i vogël të jetë numri i komisionerëve, aq më punë efektive bëhet. Duhet t’i lëmë hapësirë edhe deputetëve që nuk bëjnë pjesë në grupet parlamentare. Është marrë në shqyrtim një kërkesë nga deputeti i LSI-së, Vasili për të qenë në komisionin për të hetuar zgjedhjet e 25 prillit”, tha Balla.
Në këtë aspekt, ai tha se “ne kemi arritur që me konsensus sot ta fusim diskutimin për komisionet në hullinë e një diskutimi të parashikuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pra në domosdoshmërinë e gjetjes së një konsensusi për objektin e hetimit”.
“Ndërkohë që po ashtu, gjej rastin t’i falënderoj deputetët e opozitës që ranë dakord dhe për projektvendimin e iniciuar prej meje, për mënyrën e zhvillimit të mbledhjes së komisioneve, duke vendosur dhe Kuvendin në të njëjtën linjë me universitet dhe me shkollat. Pjesëmarrja në komisione do të jetë fizike, por me kushtin që deputetët të paraqesin certifikatë e vaksinimit apo dhe test negativ jo më vonë se 48 orë. Tashmë jemi në kushtet e vijueshmërinë normale të jetës parlamentare”, tha ai.
I pyetur nëse kanë nisur negociatat me opozitën për shtyrjen e afateve të Vetingut, Balla tha se “dua që të fillojmë diskutimet që sot”.
“Duhet t’i kishim nisur që dje. Me dëshirën e mirë që kjo çështje mos të jetë pjesë e një pakete, por nevoja dhe urgjenca që kemi për të duhet të na çojë te depozitimi sa më herët. Ekspertë tanë, deputetë të grupit parlamentar të PS-së, po punojnë për hartimin e një ndryshimi të vogël, pasi bëhet fjalë për një ndryshim të një fjalie të vetme, që i jep mundësinë, ‘hap’ çelësat në Kushtetutë, që procesi i Vetingut nga qershor 2022 të shtyhet në qershor 2024, pra me një mandat shtesë 2-vjeçar. Edhe grupi i PD-së dhe dy grupet e tjera të opozitës, shpresoj që ta mbështesin këtë propozim. Ju e dini se kjo kërkon minimalisht një kohë 45-ditore nga dita e dpeozitimit deri në ditën e miratimit. Dua që këto ndryshime të kenë ndodhur deri në Krishtlindjet e këtij viti”, tha Balla.
/j.p/r.e/






















