TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot përfaqësuesin e UNICEF, dr. Roberto de Bernardi.
UNICEF ka një prezencë të gjatë në Shqipëri dhe mbështet reformat e qeverisë, nismat e shoqërisë civile dhe veprimtaritë e tjera për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
De Bernardi e uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit dhe konfirmoi gatishmërinë e UNICEF-it për të vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm me Kuvendin e Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, falënderoi De Bernardin për kontributin e UNICEF-it për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve shqiptarë dhe bashkëpunimin shumë të mirë me Kuvendin e Shqipërisë dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim do të vazhdojë.
“Kuvendi do të ngrejë sa më shpejt grupin e deputetëve ‘Miqtë e Fëmijëve’ dhe në kuadrin e këtij grupi do të adresojmë bashkërisht çështjet e zhvillimit të fëmijëve, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe kujdesin më të madh që duhet të tregojmë për shkollimin, argëtimin dhe kushtet e tyre të jetesës, në kushtet e pandemisë si edhe të strategjisë dalëse prej saj”, vuri në dukje Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
/j.p/r.e/























