Mbrojtja e pronësisë intelektuale, memorandumi bashkëpunimi midis QKLL dhe ISHMT

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Lavdrim Sahitaj dhe drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit, i cili ka në fokus mbrojtjen e pronësisë intelektuale në fushën e letrave shqipe.

Të dy këto institucione angazhohen përmes këtij memorandumi për marrjen e hapave konkretë në luftën kundër informalitetit dhe piraterisë intelektuale.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të punojnë së bashku për organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese për të drejtat e autorëve dhe të pronësisë intelektuale për të bërë të mundur ndërgjegjësimin e të gjithë zinxhirit të subjekteve dhe faktorëve në industrinë e librit duke realizuar aktivitete informuese mbi detyrimet ligjore që duhen përmbushur në bazë të ligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, si edhe atij “Për librin në Republikën e Shqipërisë”.

Mbrojtja e dorëshkrimeve të autorëve shqiptarë dhe përgatitja e tyre për botim në bazë të legjislacionit përkatës është një nga pikat e kësaj marrëveshjeje.

“Me interes të veçantë do të jetë shkëmbimi i eksperiencave dhe realizimi i trajnimeve të përbashkëta ndërmjet Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ofrojë serinë e broshurave informuese, ndërsa Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të ofrojë botimet e tyre”, tha Sahitaj.

Informaliteti vijon të jetë ende një temë e ndjeshme për sa i përket librit. Vetëm një muaj më parë përmes një tryeze diskutimi botuesit ngritën zërin mbi rëndësinë që ka marrja e hapave konkretë në këtë fushë.

Kreu i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri ngriti në këtë tryezë problemin e fotokopjimit pa leje të librave pranë fakulteteve, botimi i librave pa të drejtën e autorit dhe piratimi nga persona të dytë i veprave, të cilët i shesin nëpër tezga, skanimi i librave pa leje dhe nxjerrja e tyre në faqet e internetit, të cilat ua shesin lexuesve kundrejt një pagese.

Edhe pse terreni i veprimit është i vështirë përmes këtij memorandum pritet të ketë hapa konkretë në mbikëqyrjen e tregut, duke ndëshkuar me gjoba dhe pezullim të aktivitetit në raste shkeljeje të përsëritura.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.