Çmimet e banesave u rritën me 6.7 % këtë vit

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, sipas Indeksit Fischer, çmimi i banesave u rrit me 0.7 % në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 6.7 % krahasuar me një vit më parë.

Sipas BSH-së, në 6-mujorin e dytë 2020, çmimet e banesave ishin rritur me 6.2 % krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 11.3 % me bazë vjetore. Krahasuar me periudhën bazë të vrojtimit, vitin 2013, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me 49.4 %.

Çmimet e banesave në kryeqytet u rritën me 3.4 % krahasuar me 6-mujorin e dytë 2020 dhe me 5.8 % krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Megjithatë, edhe për Tiranën rritja vjetore e çmimeve paraqitet më e ngadalësuar, po të kemi parasysh se për gjysmën e dytë të vitit 2020 kishte qenë 8.9 %. Krahasuar me vitin 2013, çmimet e banesave në Tiranë janë rritur me 51.7 %, më shumë se mesatarja kombëtare.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në trend rritje rezulton edhe kredia për blerjen e pronave nga individët. Në mesin e këtij viti, portofoli arriti vlerën e 140 miliardë lekëve, në rritje me 13 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.