Mbi një e katërta e të diplomuarve në biznes, administrim dhe ligj

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “biznes, administrim dhe ligj” prej 28,7 % ose mbi një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve.

INSTAT publikoi së fundmi raportin “Shqipëria në shifra”, sipas të cilit në vitin shkollor 2019-20, u diplomuan në arsimin zyrtar 98.169 nxënës dhe studentë.

Ky numër rezulton me një ulje prej 5,5 %, krahasuar me vitin shkollor 2018-19.

Në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 33.618 nxënës. Në këtë vit përfunduan studimet në arsimin e mesëm dhe u diplomuan 31.662 nxënës.

Në vitin 2020, janë diplomuar në arsimin e lartë 32.889 studentë. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 21.481 studente femra, ose 65,3 % e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.

Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “biznes, administrim dhe ligj” prej 28,7 % ose mbi një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve.

Fusha e dytë më e preferuar nga meshkujt është “inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 20,0 % e të diplomuarve. Ndërsa, nga femrat gjithsej të diplomuara, fusha e dytë e preferuar është “shëndet dhe mirëqenie” me 16,3 % të të diplomuarave.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.