BSH: Rregullja e re nxit debitimin direkt ndërbankar

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Projektrregullorja e re e Bankës së Shqipërisë “Për debitimin direkt”, mundëson për herë të parë kryerjen e veprimeve të këtij lloji, edhe në rastet kur përfituesi dhe urdhëruesi i pagesës nuk kanë llogari në të njëjtën bankë.

Objekti i rregullores është të përcaktojë rregullat për përdorimin e instrumentit të debitimit direkt si shërbim pagese për konsumatorët dhe mikrondërmarrjet.

Aktualisht, debitimi direkt është një shërbim që mund të ofrohet vetëm në rastet kur përfituesi dhe urdhëruesi i pagesës kanë llogari në të njëjtën bankë.

Me rregulloren e re, ky kusht nuk do të ekzistojë më dhe çdo subjekt i interesuar mund të kryejë apo pranojë pagesa të debitimit direkt, pavarësisht nga institucioni financiar ku mban llogarinë e vet të pagesës.

Kjo pritet t’i japë një shtysë të mëtejshem automatizimit të pagesave dhe uljes së veprimeve me para fizike, apo qoftë edhe veprimeve nga llogaria për të cilat klienti duhet të shkojë fizikisht në bankë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.