Një shpresë e re për të trajtuar sëmundjen Alzheimer

PARIS, 19 shtator /ATSH-AFP/ – Një projekt për prodhimin e një ilaçi, në një pistë ende pak të eksploruar, sapo ka regjistruar rezultate interesante, ndoshta një përparim në kërkimin e një trajtimi kundër sëmundjes së Alzheimerit, që ka ngecur për njëzet vjet, edhe pse është shumë herët për të qenë entuziastë.

“Këto rezultate (…) janë veçanërisht inkurajuese dhe një herë e parë në disa aspekte”, tha Andrea Pfeifer, kreu i kompanisë start-up “AC Immune”, që po zhvillon, së bashku me një filial të gjigantit farmaceutik zviceran “Roche”, trajtimin e ri për sëmundjen e Alzheimerit.

Njoftimi përbën interes, sepse kjo molekulë, semorinemab, ndjek një udhë që ende nuk është eksploruar në kërkimin e një trajtimi kundër Alzheimerit, një zonë ku dështimet janë rritur për njëzet vjet.

Trajtimi, në fakt, është përqendruar në shkatërrimin e pllakave të formuara nga proteina të caktuara, të quajtura beta-amiloide, në trurin e pacientëve.

Duke ngjeshur neuronet, ato janë një nga dy faktorët kryesorë në sëmundjen e Alzheimerit.

Për disa vjet, laboratorët kanë kërkuar të veprojnë në faktorin e dytë që karakterizon sëmundjen e Alzheimerit: sjelljen jonormale të një kategorie tjetër të proteinave, të quajtur Tau, që janë të pranishme në neurone.

Te pacientët, ato grumbullohen në grupe, që përfundojnë duke çuar në vdekjen e qelizës.

Ky është edhe drejtimi që kanë ndërmarrë “AC Immune” dhe “Roche”.

Trajtimi është një antitrup sintetik, që pritet t’i njohë këto grupime në mënyrë që t’i shkatërrojë ato./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.