Ballina Bota

AUSTRALI – Morrison refuzon reagimin e Kinës ndaj AUKUS-it

SIDNEJ, 17 shtator /ATSH-DPA/ – Kryeministri australian, Scott Morrison hodhi poshtë përgjigjen e zemëruar të Kinës ndaj një aleance sigurie me SHBA dhe Britaninë e Madhe, që do të sillte si rezultat edhe faktin që Kanberra do të blinte nëndetëse me energji bërthamore.

Kina nuk u përmend drejtpërdrejt në njoftimin e përbashkët të së ashtuquajturës ”aleanca AUKUS”, por presidenti amerikan, Joe Biden iu referua kërcënimeve në zhvillim të shpejtë dhe nevojës për të forcuar sigurinë dhe parandalimin ushtarak në rajonin e Indo-Paqësorit.

Morrison tha se masa ishte “në interesin e të gjithëve, përfshirë interesin e Kinës” për të mbajtur një rajon të sigurt dhe të qëndrueshëm, por shtoi se Australia ka të drejtë të marrë vendime në interesat e saj dhe se vetë Kina “ka një program shumë thelbësor të ndërtimit të armëve bërthamore”.

Ministri australian i Mbrojtjes, Peter Dutton i tha Sky News Australia se komentet e medias kineze për AUKUS-in ishin “të turpshme”.

Ambasada kineze në Australi deklaroi se vendi duhet të “braktisë mentalitetin e vjetruar të Luftës së Ftohtë dhe perceptimin e ngushtë gjeopolitik dhe të ndalojë rrëshqitjen më tej në rrugën e dëmtimit të marrëdhënieve Kinë-Australi”./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTirana i bashkohet Ditës Botërore të Pastrimit, Veliaj: Do i heqim licencën një operatori pastrimi
Artikulli tjetërRonaldo i dhuron fanellën rojes së sigurisë të cilën e goditi pa dashje