Shqipëria e para në klasifikimin e Kombeve të Bashkuara për numrin e grave në qeveri

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Kryeministri i dekretuar Edi Rama, teksa prezantoi sot programin qeverisës në mandatin e tretë të tij, tha se kjo qeveri e re do të hyjë në histori si qeveria me përbërjen më të lartë të grave jo vetëm në Shqipëri.

Por Kryeministri Rama theksoi se pavarësisht pasqyrës kuptimplotë të përparimit të këtyre viteve në përpjekjen për barazi gjinore edhe në nivele të tjera të ekzekutivit, beteja kundër diskriminimit gjinor dhe dhunës në familje mbetet ende shumë e hapur, larg së qënuri e fituar.

Realiteti jashtë institucional dhe përtej perimetrit të administratës shtetërore, ku sot kontribuojnë më shumë gra sesa burra, u shpreh Kryeministri, nuk është aspak rozë.

“Unë jam krenar që kjo shumicë qeverisëse e ka çuar përpara në tërë këto vite si asnjëherë më parë përpjekjen shoqërore për ti dhënë grave dhe vajzave shqiptare vendin e merituar në bashkësinë tonë”, tha Rama në Kuvend.

Me votëbesimin e këtij kabineti të ri, tha Rama, Shqipëria ngjitet në vendin e parë të klasifikimit të Kombeve të Bashkuara për numrin e grave në qeveri, pasi ka qëndruar më parë në 5 vendet e para të këtij klasifikimi.

Tejkalimi i lartë i shkallës së barazisë 50 % me 50 %, theksoi ai, nuk ka qenë qëllim në vetvete.

Sipas Ramës, raporti i përmbysur i anëtareve në këtë kabinet të ri nuk ishte një pikënisje e qëllimshme si në rastin e krijimit të kabinetit të parë. Por, vijoi Rama, ishte pikëmbërritja e natyrshme e analizës së punës së këtij kabineti.

“Kemi dukshëm më shumë kolege në kabinet, jo për shkak të faktorit gjinor, por për arsyen se ministret e qeverisë së re ju përshtaten më mirë në këtë moment starti të mandatit të tretë, qëllimit të punës që duam të bëjmë dhe kritereve që mbulojnë në këtë formacion qeveritar”, tha ai.

Por, sipas Kryeministrit Edi Rama, pavarësisht pasqyrës kuptimplotë të përparimit të këtyre viteve në përpjekjen për barazi gjinore edhe në nivele të tjera të ekzekutivit, beteja kundër diskriminimit gjinor dhe dhunës në familje mbetet ende shumë e hapur, larg së qënuri e fituar.

“Realiteti jashtinstitucional dhe përtej perimetrit të administratë shtetërore, ku sot kontribuojnë më shumë gra sesa burra nuk është aspak rozë. Ka ende shumë forca diskriminuese dhe energji negative të cilat veprojnë në shoqërinë tonë në dëm të grave dhe vajzave”, tha ai.

Kryeministri u shpreh se nuk është e nevojshme të shkosh në pika të humbura të vendit për të gjetur raste dramatike, jo të rralla, ndalimi të vajzave për të vazhduar shkollën, fejesa që në adoleshencë, e deri te mbyllje të detyruar brenda mureve të shtëpisë vetëm se nuk janë djem.

Ashtu sikundër, tha Rama, nuk janë të rralla rastet tragjike të dhunës dhe asaj ekstreme mbi gratë.

“Ngjarjet tronditëse me jehonë publike, janë maja e një ajsbergu të frikshëm, ndërkohë dhuna në familje ku viktima janë përgjithësisht gratë dhe vajzat bën kërdi të heshtur kudo në vend, dhe jo vetëm në zona të thella”, u shpreh Rama.

Kryeministri apeloi që edhe gratë në Kuvend të bashkohen dhe të bëhen misionare të vijës së parë kundër dhunës ndaj grave dhe forcimit të rolit të tyre në shoqëri.

“Dua të shpresoj dhe dua të besoj se të gjitha gratë në këtë sallë, pa dallime partiake, por në radhë të parë ministret dhe vetë Kryetarja e re e Kuvendit, ta ndjejnë më të fortë se kurrë më parë përgjegjësinë për t’u bërë misionare të vijës së parë në këtë betejë, duke udhëhequr me forcën e fjalës dhe duke folur me akte konkrete individuale apo të përbashkëta, sa më shumë mundësisht përtej barrikadave politike. Me këtë mision të gjitha ju kolege të pranishme nuk do të jeni vetëm konsumatore, por edhe prodhuese të energjisë pozitive të politikës në betejën për fuqizimin e grave dhe vajzave në mbarë shoqërinë shqiptare”, deklaroi Rama.

Rama siguroi se qeveria do të punojë me të gjithë forcën e ideve e vullnetit për një bashkëpunim sa më të gjerë e të frytshëm politik e shoqëror që figura e nënës, vajzës dhe gruas të ndjehet sa më e mbrojtur nga forcat dhe energjitë negative të shoqërisë sonë dhe sa më e mbështetur nga politika dhe institucionet në të drejtat dhe aspiratat e saj.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.