TIRANË 15 shtator /ATSH-I.Vata/ Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani i kërkon opozitës që të kërkojë në parlament ligjin për vetingun e politikanëve dhe detyrimin e deputetëve dhe ministrave të bëjnë deklarimin e pasurive.
Përmes një reagimi Nishani shprehet se “opozita në Parlament duhet të paraqesë menjëherë 2 (dy) projektligje. Ligjin për vetingun e politikanëve dhe konfiskimin e çdo pasurie të pajustifikuar prej tyre. Ligjin për detyrimin e çdo deputeti, ministri, drejtuesi të institucioneve kushtetuese për të bërë publike deklaratën e pastërtisë së figurës marrë prej Komisionit të shqyrtimit të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”.
Ai shton se “opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ti miratuar e vetme ato ligje. Por opozita mundet të kondicionojë çdo angazhim të saj në legjislacionin që kërkon edhe votat e saja, vetëm pas miratimit të këtyre ligjeve prej Parlamentit”.
“Opozita mundet ti ketë në axhendën e diskutimit të saj në çdo seancë parlamentare këto ligje themelore për kurimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Nëse opozita nuk i ndërmerr këto hapa, ajo mbetet thjesht një fasadë e shëmtuar e regjimit të masakrës elektorale”, shprehet ai.
/a.a/r.e/






















