TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur projektrregulloret e para në mbështetje të ligjit për tregtimin e kriptovalutave që u miratua vitin e kaluar.
Sipas relacionit që shoqëron projektrregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë duhet të sigurojnë një nivel të mjaftueshëm të kapitalit rregullator, i cili duhet të jetë në çdo kohë të paktën sa vlera më e lartë mes nivelit minimal të kapitalit i përcaktuar në ligj për subjektet e që veprojnë në tregun e kriptovalutave, (ku përfshihen agjenti i Tokenit Digjital (TD), bursat DLT dhe kujdestarët e portofolit të palëve të treta), ose sa një e katërta e shpenzimeve të përgjithshme fikse të vitit paraardhës, të rishikuara çdo vit. Kapitalizimi mund të përmbushet përmes fondeve të vetë subjektit ose një police sigurimi për mbulimin e përgjegjësisë profesionale.
Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë mund të mbulojnë përgjegjësinë e tyre profesionale përmes një police sigurimi.
Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” u miratua në maj të vitit të kaluar dhe hyri në fuqi duke filluar nga data 1 shtator 2020. /j.p/























