RUSI – Përfundon gazsjellësi i shumëdiskutuar ”Nord Stream 2”

MOSKË, 10 shtator /ATSH-ANSA/ – Ndërtimi i gazsjellësit të shumëdiskutuar ”Nord Stream 2” që kalon përmes detit Baltik përfundoi sot në mëngjes, deklaroi kompania ruse Gazprom.

Monopoli i gazit rus pritet të fillojë furnizimin me gaz për Gjermaninë përmes gazsjellësit  të ri në muajin tetor.

Ndërtimi duhej të përfundonte në vitin 2019, por u vonua nga kundërshtimi i SHBA-së, që konsideron atë një projekt gjeopolitik të Rusisë.

Uashingtoni ka vendosur sanksione kundër disa njësive të lidhura me ndërtimin e gazsjellësit.

Qeveria amerikane ka kritikuar vazhdimisht projektin duke e bërë Evropën shumë të varur nga Rusia për furnizimin e saj me energji, duke çuar në tensione të veçanta me Gjermaninë.

Sidoqoftë, në korrik Uashingtoni dhe Berlini njoftuan një marrëveshje në të cilën ata u zotuan të ndërmarrin veprime në rast se Rusia përpiqet të përdorë energjinë si armë ose kryen veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës.

Gazsjellësi do të furnizojë Gjermaninë me 55 miliardë metra kub gaz në vit./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.