TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë nis sot punimet për Legjislaturën X të tij.
Punimet e seancës plenare do të drejtohen nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë në këtë legjislaturë të Kuvendit.
Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit ka në përbërje të tij 140 deputetë.
Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.
Më pas një Komision i përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit, që përbëhet nga 9 deputetë shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit.
Pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin.
Sot, pas më shumë se dy vite nga largimi, PD rikthehet në Kuvend.
Konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit do t’i hapë rrugë miratimit të qeverisë së re.
Në zgjedhjet e 25 Prillit, Partia Socialiste mori 74 mandate, koalicioni PD-AN 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate.
/j.p/r.e/























