Ballina Aktualitet

Ruçi, pjesë e Konferencës së Unionit Parlamentar Ndërkombëtar në Vjenë

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Në datat 6-8 shtator 2021, u zhvillua në Vjenë Konferenca e kryetarëve të parlamenteve të Unionit Parlamentar Ndërkombëtar. Në këtë konferencë mori pjesë edhe një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në përbërje të të cilit ishte edhe deputeti Musa Ulqini.

Tema e konferencës ishte “Mbi lidershipin parlamentar për multilateralizëm më efektiv, që prodhon paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm për njerëzit dhe për planetin”.

Konferenca nënvizoi se “Rimëkëmbja pas pandemisë së Covid-19 duhet të marrë në konsideratë ndikimin saj në të gjitha vendet dhe grupet e popullsisë. Përpjekjet për rimëkëmbje duhet të përkrahin sundimin e ligjit, parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Rimëkëmbja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme, me angazhime për të luftuar varfërinë, ngushtuar pabarazinë, ulur papunësinë dhe përmirësuar aksesin në arsim dhe shërbimet publike. Parlamentet duhet të punojnë së bashku, si një familje humane, në përballimin e epidemive dhe krizave të tjera, duke kapërcyer dallimet e të gjitha llojeve, dhe duke nxitur një kulturë tolerance e bashkëjetese.”

Gjatë ditëve të konferencës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mori pjesë edhe në takimin e presidentit të parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, me kryetarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor.

Ruçi falënderoi presidentin Sobotka për “mbështetjen që Austria i ka dhënë procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, për hapjen sa më shpejt të negociatave ose dhënien sa më shpejt të statusit të kandidatit vendeve të rajonit”.

“Ne, parlamentet dhe parlamentarët e rajonit, kemi shumë për të bërë për të shtuar kontaktet, zgjeruar bashkëpunimin dhe konsoliduar bashkëveprimin tone, në rrugëtimin drejt familjes europiane”, tha ai.

Nga gjashtë vendet e rajonit, dy prej tyre, Serbia dhe Mali i Zi, kanë nisur negociatat; dy të tjera, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të mbajtjes së Tryezës së Parë Ndërqeveritare; Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina kanë ende një perspektivë të largët drejt destinacionit europian.

Tri shpejtësitë e ndryshme të gjashtë vendeve tona drejt Bashkimit Europian nuk duhet të na shërbejnë si barriera, por si burime përvojash e mësimesh, në mënyrë që të gjashtë vendet tona të rrisin shpejtësinë e ecjes drejt Europës.

Unë jam i vetëdijshëm se ne nuk i kemi shfrytëzuar të  gjitha potencialet tona për të përshpejtuar ecjen drejt BE-së. Duhet dhe mund të shfrytëzojmë më mirë përvojat pozitive që kemi krijuar secili prej vendeve tona.

Është në dorën tonë që ta kthejmë Ballkanin, veçanërisht Ballkanin Perëndimor, nga një gadishull ku sundonin mëritë etnike e fetare, në një gadishull që rrezaton frymën dhe identitetin perëndimor”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSi luftohet lodhja e muskujve?
Artikulli tjetërKosovë, 19 humbje jete dhe 703 raste të reja me COVID-19