Ballina Ekonomi

Tatimet, plan masash për Fiskalizimin

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon tatimpaguesit se prej datës 1 shtator do të vijojë zbatimi i planit të masave për informimin dhe ofrimin e asistencës në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesve, me qëllim përmbushjen e detyrimit ligjor për fiskalizimin e transaksioneve me para në dorë.

Ky plan masash do të zbatohet prej datës 1 shtator e në vijim, për një periudhe 3-mujore, gjatë së cilës punonjës të trajnuar të Administratës Tatimore do të ofrojnë ndihmën e tyre për tatimpaguesit për të plotësuar disa hapa të nevojshëm dhe të domosdoshëm për procesin e Fiskalizimit.

Ndihma që do t’iu ofrohet tatimpaguesve, gjatë vizitave nga grupet e informimit, ka të bëjë me: Krjimin e llogarisë në portalin e-Albania (nëse nuk disponojnë një të tillë); Aplikimin për certifikatë elektronike;Ngarkimin e certifikates elektronike në Portalin Self-Care; Regjistrimin e të dhënave të biznesit në Portalin Self-Care; Informacion të thjeshtuar për Fiskalizimin, mënyrën e lëshimit të faturave, pajisjet fiskale që mund të përshtaten, kompanitë që ofrojnë zgjidhje softwarike të çertifikuara etj.

Sipas kalendarit të mëposhtëm vizitat në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesve, kryesisht të biznesit të vogël do të kryhen:

1 Shtator – 30 Nëntor në Drejtoritë Rajonale Tatimore Tiranë.
1 – 15 Shtator në DRT Kukës dhe Berat.
1 – 30 Shtator në DRT Elbasan.
16 Shtator – 15 Nëntor në DRT Gjirokastër.
1 Tetor – 15 Nëntor në DRT Durrës.
1 – 31 Tetor në DRT Shkodër dhe Fier.
16 – 30 Tetor në DRT Dibër.
16 Tetor – 30 Nëntor në DRT Vlorë.
1 – 30 Nëntor në DRT Korçë, Sarandë dhe Lezhë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se do të vazhdojë të ketë një qasje sensibilizuese dhe këshilluese, për të gjitha subjektet gjatë gjithë vitit 2021 përsa i përket Fiskalizmit.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRENEA, kontrolle të befasishme në disa qytete të vendit
Artikulli tjetërFUTBOLL- Real Madridi zgjat kontratën e futbollistit Valverde deri në vitin 2027