Ballina Aktualitet

Dita e Ashures, mesazhe urimi

TIRANË 19 gusht /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Ashures.

Në mesazhin e urimit, Ruçi, thekson se Bektashizmi është sintezë e  virtyteve njerëzore.

“Dita e Ashures është një ndër ditët që shënojnë shfaqjen e virtyteve më të mira të bektashinjve; është një sintezë e vlerave njerëzore; një simbol i bashkimit dhe përpjekjeve për të kontribuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve. Nëpërmjet kremtimit të kësaj feste, besimtarët bektashinj u dërgojnë të gjithë kombeve e popujve një kumt miqësie dhe solidariteti; për të respektuar dallimet dhe diversitetin; për të ndarë bashkërisht gëzimet dhe dëshpërimin, të mirën dhe të keqen, përfitimet dhe  përgjegjësitë, arritjet dhe mundimet, pasurinë dhe skamjen,  bekimet dhe vështirësitë e jetës së përditshme. Vlerat bektashiane marrin vlera të veçanta në botën e sotme të trazuar edhe nga konfliktet etnike  e fetare. Drita dhe mësimet e paqta të besimit u kundërqëndrojnë ekstremistëve, terroristëve dhe forcave të errësirës. T’i lexojmë të gjithë këto mësime të Bektashizmit!”, shkruan në mesazhin e urimit Ruçi.

Meta: Simbol i sakrificave në emër të lirisë, dinjitetit dhe besimit 

Presidenti Ilir Meta uroi besimtarët bektashinj duke theksuar se Dita e Ashures simbolizon sakrificën në emër të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe besimit.

“Urime të përzemërta për të gjithë besimtarët bektashianë dhe popullin shqiptar: Gëzuar Festën e Ashures, simbolin e sakrificave në emër të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe besimit! Shëndet të mirë dhe mbarësi në familjet tuaja!”, shprehet Meta.

Balla: Në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla uroi sot besimtarët bektashinj për Ditën e Ashures.

Sipas Ballës, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve.

“Në këtë ditë të bukur feste, ju uroj të gjithë besimtarëve bektashianë: Gëzuar Festën e Ashures! Kjo festë përkon me ditën e dhjetë të muajit Muharrem, një ditë kur amvisat gatuajnë ëmbëlsirën e ashures, simbol i bereqetit, përkrahjes për më të varfërit, unitetit dhe e cila sipas besimit bektashian, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve. Gëzuar!”, shkruan Balla.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDëmtim në fiderin e Kasharit/ OSSH, në terren për rikthimin e energjisë
Artikulli tjetërCOVID-19 – Australia regjistron shifra rekord rastesh